Rita Flores, ish-anëtare e kolektivit punk rus Pussy Riot, ka deklaruar se kërcënimet për ndjekje penale e detyruan të punonte për shërbimin sekret rus FSB dhe të depërtonte në rrethet opozitare.
Të lidhura
None found
29-vjeçarja, e angazhuar me Pussy Riot që nga viti 2020, u largua nga Rusia muajin e kaluar, pasi kishte bashkëpunuar për rreth tre vjet me inteligjencën ruse. Në një intervistë për “The Guardian”, ajo tregoi se vendosi të ikte kur iu kërkua të përfshihej në një operacion kundër një aktivisti pro-ukrainas.
Sipas Flores, FSB-ja e rekrutoi në shkurt 2023, periudhë kur autoritetet po e mbanin nën vëzhgim për shkak të kritikave të publikuara në rrjetet sociale ndaj veprimeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
Ajo rrëfen se agjentët e inteligjencës e vunë përballë një ultimatumi, duke e paralajmëruar se do të hapnin procedura penale kundër saj nëse refuzonte bashkëpunimin.
“Besoja se ata mund të bënin çfarëdo që thoshin”, u shpreh Flores. Ajo shpjegoi se pranoi nga frika për sigurinë e saj dhe të familjes.
Pas rekrutimit, Flores pretendon se iu ngarkuan disa misione, të përqendruara kryesisht në sigurimin e të dhënave për persona me lidhje me opozitën ruse.
Ndër detyrat më të rënda, sipas saj, ishte ajo që kishte në shënjestër aktivistin pro-ukrainas Pyotr Verzilov. Ai kishte qenë i lidhur me Pussy Riot dhe më pas ishte larguar drejt Ukrainës.
Flores thotë se drejtuesit e saj në FSB i kërkuan të udhëtonte në Serbi, të takohej me Verzilovin dhe të ndihmonte për ngritjen e një kurthi që synonte vrasjen e tij.
Megjithatë, përpara se plani të vihej në zbatim, ajo kërkoi ndihmë nga një avokat, mori sendet e saj dhe u largua nga Rusia.
Tani Flores synon ta bëjë publike përvojën e saj, si edhe mënyrën se si, sipas pretendimeve të saj, Kremlini përdor individë të infiltruar brenda qarqeve të opozitës.
Ajo e cilësoi këtë praktikë si një “fenomen masiv” dhe foli gjithashtu për trysninë që ushtrohet mbi komunitetin artistik rus.
Sipas Flores, personat që kanë vazhduar të jetojnë në Rusi janë detyruar t’u përshtaten rregullave të përcaktuara nga autoritetet. “Shkon në një galeri dhe çdo vepër mund të ketë një tabelë që thotë: ‘Na ndalohet të themi asgjë’”, deklaroi ajo.
“The Guardian” publikoi dëshminë e Flores, ku përfshihen pretendimet e saj për vitet e bashkëpunimit me shërbimet ruse dhe shkaqet që e shtynë të largohej nga vendi.
