Hoteli Grand Burstin, në Marine Parade të Folkestone, Kent, u përfshi nga një zjarr i fuqishëm në orët e para të së shtunës. Shërbimet e emergjencës morën njoftimin rreth orës 01:20 dhe, në fazën më intensive të ndërhyrjes, në operacion u përfshinë 26 mjete zjarrfikëse.
Të lidhura
None found
Rreth 280 persona u nxorën nga hoteli dhe u sistemuan në një qendër pritjeje të ngritur nga këshilli lokal. Autoritetet deklaruan se nuk ka persona të lënduar. Sipas të dhënave paraprake, flakët nisën në bodrum, ndërsa zjarri u vu nën kontroll rreth orës 08:30. Megjithatë, disa ekipe vazhduan punën gjatë ditës për të shuar plotësisht vatrat e mbetura.
Policia e Kentit njoftoi se, pas verifikimeve të para, incidenti po hetohet si i dyshimtë dhe nuk përjashtohet mundësia që zjarri të jetë shkaktuar qëllimisht.
“Hetimet për rrethanat janë duke u zhvilluar dhe oficerët tani besojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht”, deklaroi Policia e Kentit. Hetuesit po mbledhin dëshmi nga persona që mund të kenë parë diçka, si dhe pamje të kamerave të sigurisë apo të kamerave të automjeteve. Policia u ka kërkuar të gjithë atyre që kanë qenë në zonë nga ora 22:00 e së premtes deri në orën 00:30 të së shtunës të dorëzojnë çdo informacion ose material filmik që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Grand Burstin, i menaxhuar nga Britannia Hotels, ka rreth 550 dhoma dhe ndodhet pranë portit të Folkestone. Sipas Sky News, incidenti kërkoi një angazhim të gjerë të shërbimeve të emergjencës, ndërsa zjarrfikësit qëndruan në vendngjarje edhe për disa orë pasi zjarri u vu nën kontroll.
