Hoteli Grand Burstin në qytetin bregdetar të Folkestone, në Kent të Britanisë së Madhe, u përfshi nga një zjarr i fuqishëm gjatë orëve të para të së shtunës. Shërbimet e emergjencës morën njoftimin rreth orës 01:20, ndërsa në fazën më intensive të ndërhyrjes u mobilizuan 26 mjete zjarrfikëse në Marine Parade.
Të lidhura
None found
Afërsisht 280 persona u nxorën nga ndërtesa dhe u sistemuan në një qendër të posaçme pritjeje, të ngritur nga këshilli lokal. Autoritetet britanike bënë të ditur se nga ngjarja nuk është raportuar asnjë i lënduar.
Dyshohet se flakët kanë nisur në bodrumin e hotelit. Zjarri u vendos nën kontroll rreth orës 08:30, por disa ekipe zjarrfikëse vazhduan punën gjatë ditës për të shuar plotësisht vatrat e mbetura.
Policia e Kentit njoftoi pas verifikimeve fillestare se rasti po hetohet si i dyshimtë, pasi ka indicie se zjarri mund të jetë vënë me dashje.
“Hetimet për rrethanat janë duke u zhvilluar dhe oficerët tani besojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht”, deklaroi Policia e Kentit. Autoritetet kanë kërkuar dëshmitarë, si dhe regjistrime nga kamerat e sigurisë apo kamerat e automjeteve.
Personave që ndodheshin në zonë nga ora 22:00 e së premtes deri në orën 00:30 të së shtunës u është bërë thirrje të dorëzojnë çdo informacion ose material filmik që mund të ndihmojë në hetim.
Grand Burstin operohet nga Britannia Hotels, ka rreth 550 dhoma dhe gjendet pranë portit të Folkestone. Sipas Sky News, ngjarja solli një mobilizim të gjerë të shërbimeve të emergjencës, ndërsa zjarrfikësit qëndruan në vendngjarje për disa orë edhe pasi flakët ishin vënë nën kontroll.
