Serie A me 100% të tifozëve në stadiume, por me një kusht

Edhe pse Covid 19 duket sikur po i vjen fundi, asgjë nuk është e sigurt.

Gjatë ditës së djeshme u tërhoq shorti i Serie A, ku u mblodhën klubet dhe Federata Italiane e Futbollit.

Gjatë kësaj mbledhjeje u diskutua mbi praninë e tifozëve në stadium si mbështetja kryesore e skuadrave.

Por sa do jetë e mundur prania e tifozëve në tribuna?

Gjatë diskutimit fjalën e morën presidenti i Serie A, Paolo Dal Pino dhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.

Dal Pino deklaroi se që nga sezoni i ardhshëm pritet që stadiumet të shfrytëzojnë 100% të kapacitetit me tifozë, por të drejtë kanë vetëm ata që janë të vaksinuar.

“Kërkesa për shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve të stadiumeve është në interes të vendit tonë, dëshirojmë t’i shohim stadiumet me kapacitet të plotë me tifozë që janë të vaksinuar”, tha ai.

Në këtë mënyrë do kontribuojmë në fushatën e vaksinimit, pasi futbolli italian ndiqet nga afro 38 milion banorë dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi bëhet fjalë për jetën sociale.

Presidenti i Serie A nuk mund të linte pa përmendur dhe fitoren e ekipit Kombëtar “Azzurr”, duke shprehur mirënjohjen për futbollistët dhe Mancinin.

“Komplimentet e mia Kombëtares italiane, presidentit Gravina dhe Mancinit. Ky trofe i fituar na jep një kënaqësi të madhe dhe tregon se niveli i kampionatit tonë është rritur shumë, pesë lojtarë në formacionin më të mirë luajnë në Serie A, gjithashtu 25% e golave në këtë turne erdhën nga kampionati jonë, gjithashtu golashënuesi më i mirë Ronaldo luan në Serie A”, përfundoi Paolo dal Pino.


Shtuar 15.07.2021 12:16

Tags: ,