Rruga e gjatë dhe e mundimshme e trajnerit të Sheriffit Tiraspol

Deri muajin e kaluar, Yuriy Vernydub nuk kishte dalë kurrë në skenën më të madhe të futbollit evropian, e lëre më të ketë sukses në të. E gjitha ndryshoi kur skuadra e tij, Sheriff Tiraspoli tronditi botën në paraqitjen e parë të tij dhe klubit nga Moldavia në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Së pari, klubi me bazë në shtetin e vogël të shkëputur të Transnistrisë, mposhti pjesëmarrësin e rregullt të fazës së grupeve të Championsit, Shakhtar Donetskun. Pastaj, kundër të gjitha shanseve, Sheriffi si autsajder triumfoi ndaj Real Madridit dhe atë në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Por trajneri 55-vjeçar ukrainas, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në hapësirën post-sovjetike, mbetet i përulur.

“Unë jam mirënjohës ndaj djemve të mi për atë që bënë”, tha trajneri i Sheriffit.

Njerëzit që janë pranë Vernydubit e përshkruajnë atë si këmbëngulës dhe një person që punon dhe asnjëherë nuk tërhiqet nga idetë e tij.

“Ju nuk mund të debatoni me të”, tha djali i tij, Vitaliy Vernydub, i cili është një futbollist profesionist dhe ka luajtur nën drejtimin e babait të tij për disa vjet.

I lindur në qytetin veriperëndimor të Ukrainës, Zhytomyr, një qendër transporti që lidh Kievin me Varshavën, Yuriy Vernydub filloi karrierën e tij profesionale në qytetin e tij në vitin 1983. Për vite me radhë, ai kërceu mes klubeve të profilit të ulët në Ukrainë, larg nga vëmendja e nivelit të lartë të futbollit evropian. Ai më në fund, në perëndim të karrierës së tij, i luajti dy ndeshje me fanellën e Zenitit në Kupën e UEFA-s. Mirëpo si lojtar dhe më pas si trajner, Vernydub thotë se “ëndërronte” të merrte pjesë në garën më prestigjioze të Evropës, Ligën e Kampionëve. Duke akuzuar Moskën për mbështetjen e separatistëve pro-rusë në luftën e tyre kundër forcave qeveritare në Ukrainën lindore, ai tha se tani nuk do të pranojë kurrë një ofertë për të punuar si trajner në Rusi.

“Kjo ndoshta do të mbetet e vërtetë deri në fund të jetës sime”, insistoi Vernydub.

Pasi karriera si lojtar aktiv përfundoi në vitin 2000 për shkak të një dëmtimi në gju, Vernydub filloi karrierën e tij si trajner, duke shërbyer si ndihmës te Metalurh Zaporizhzhia, klub që bënte gara në elitën e futbollit të Ukrainës. Roli i tij i parë si trajner erdhi në vitin 2011 me Zorya Luhanskun, një klub me buxhet të vogël, i cili megjithatë sfidoi gjigantët ukrainas – Shakhtarin dhe Dynamo Kievin. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, ai drejtoi klubin, i cili u detyrua të lëvizte nëpër stadiume të ndryshme për shkak të luftimeve që shpërthyen në Ukrainën Lindore në vitin 2014, duke luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës në dy sezone rresht. Futbollistët që kanë luajtur për Vernydubin thonë se ai i ndihmoi ata të zhvilloheshin në lojtarë më të mirë. Porteri 22-vjeçar, Andriy Lunin, u ble nga Real Madridi në vitin 2018 për 8.5 milionë euro.

“Ai është një person dhe trajner shumë i mirë”, tha reprezentuesi i Ukrainës, Oleksandr Karavayev, i cili luajti nën urdhrat e Vernydubit te Zorya. Karavayev, i cili tani luan për Dynamo Kievin, vuri në dukje “dëshirën dhe besimin” e Vernydubit duke e ndihmuar atë të përparojë në shkallët e futbollit ukrainas dhe “të hyjë në ekipin kombëtar”. Pas një dekade në role të ndryshme te Zorya, Vernydub përfundimisht u largua në vitin 2019 pasi raportoi në mosmarrëveshjet mbi shitjet e rregullta të lojtarëve më të mirë të ekipit dhe transferimet e reja me te cilat nuk ishte pajtuar.

“Është shumë e vështirë të fillosh çdo gjashtë muaj të grumbullosh një ekip, të zhvillosh një stil loje, të luftosh për rezultate”, tha Sergiy Rafailov, ish-drejtori i përgjithshëm i Zoryas kur u pyet për largimin e trajnerit Vernydub.

Vernydub pastaj kaloi një sezon duke stërvitur në Bjellorusi para se të transferohej në qendrën administrative të Transnistrisë, te Sheriffi.

“Kishte një shans për të luajtur në Ligën e Kampionëve”, shpjegon ai.

Artyom Frankov, kryeredaktor i revistës së futbollit të Ukrainës, tha se kalimi te Sheriffi ishte shumë tërheqës për Vernydubin, sepse ai ishte në gjendje të merrte më shumë kontroll mbi vendimet e klubit.

“Ai vetë mund të zgjedhë lojtarët që i duhen”, tha Frankov.

Të martën, Sherifi udhëton për në Itali për t’u përballur me ish-kampionin e Evropës, Interin.

“Është e qartë se do të jetë shumë e vështirë”, thotë Vernydub. “Por nuk ka nevojë të kemi frikë. Duhet të dalim dhe të luajmë”.


Shtuar 19.10.2021 17:31