Rrëfehet Mbappe: E pamundur të krahasohet kush me Ronaldo dhe Messi (FOTO LAJM)

Në një intervistë të gjatë, që dha për “Esquire”, Kylian Mbappé pranon se më të mirët në botë janë Messi dhe Ronaldo. “Nuk jam vetëm unë që e di këtë, – thotë sulmuesi francez duke qeshur, – të gjithë e dinë. Nëse i thoni vetes se duhet të bëni më mirë se ata, është përtej egos dhe vendosmërisë; është mungesë e vetëdijes. Ata lojtarë janë të pakrahasueshëm, që i thyen ligjet e statistikave. Ata kishin 10 vite të jashtëzakonshëm, ndoshta edhe 15 vite”.

Fitimi i Kupës së Botës e bëri Mbappé një “hero kombëtar”. A e konsideron ai veten një yll? “Kështu mendoj. Nëse fytyra juaj është kudo në qytet, kudo në botë, kjo thotë gjithçka. Të jesh një yll është status, por nuk më bën një person më të mirë se të tjerët”.

Ai jeton si një “i burgosur luksoz”, që nuk mund të largohet nga shtëpia pa u shoqëruar: “Duhet një grup me vete për të dalë jashtë. Kur fëmijët e mi të ardhshëm do të më pyesin për aventurat rinore, nuk do të kem asnjë të tillë për t’iu treguar.

Tifozët të japin dashuri të madhe, por ndonjëherë ndoshta dashurie e tepërt të bezdis. Dikush mund të mos respektojë intimitetin tuaj. Ne ua japim jetën njerëzve, sepse u japim kënaqësi çdo tri ditë dhe ua mbushim me argëtim kohën. Është e pamundur të shpresosh për një jetë normale, por pak respekt për jetën private të dikujt nuk është shumë për të kërkuar, mendoj unë”.

Megjithatë, ai e pranon: “Ju gjithmonë e krahasoni veten me më të mirët në sportin tuaj, ashtu si bukëpjekësi krahason veten me bukëpjekësit më të mirë përreth tij. Shikoj ndeshje të lojtarëve të tjerë të shkëlqyer për të kuptuar më shumë mbi futbollin. Mendoj se edhe lojtarët e tjerë më shikojnë mua. Kjo i shtyn lojtarët të rrisin lojën e tyre, ashtu si Messi ishte i mirë për Ronaldon, edhe Ronaldo ishte i mirë për Messin”.

A e krahason Mbappé veten me sulmuesin tjetër të madh të gjeneratës së tij, Erling Braut Haaland të Norvegjisë dhe Borussia Dortmund? Përgjigja e francezit tingëllon si një prekje patronizuese në sedër: “Është viti i tij i dytë, ne po e njohim. Është fillimi për të. Jam i lumtur për Haaland, për atë që po bën”.


Shtuar 2.06.2021 14:21