Roma bëhet me portier të ri, Rui Patricio kryen nesër vizitat mjekësore

Roma gjen portierin për sezonin e ri. Jose Mourinho ka përzgjedhur patriotin e tij, Rui Patricio, për mbrojtjen e katërkëndëshit dhe drejtuesit e klubit janë gati t’i plotësojnë dëshirën, pasi kanë mbyllur marrëveshjen e transferimit të portugezit në Romë.

Sipas mediave italiane, gardiani 33-vjeçar pritet të mbërrijë në kryeqytetin italian ditën e hënë dhe pasi të kryejë vizitat mjekësore rutinore, do të hedhë firmën mbi kontratë dhe do të nisë menjëherë përgatitjet nën urdhrat e Mourinhos.

Nga ana tjetër verdhekuqtë do të paguajnë rreth 10 milionë euro në arkat e klubit anglez të Wolverhampton, që ka në pronësi kartonin e portierit portugez. Për t’i bërë vend Rui Patricios, Roma largoi në huazim te Marseille spanjollin Pau Lopez, teksa drejt largimit është edhe suedezi Robin Olsen.


Shtuar 11.07.2021 15:20