Paris Saint-Germain ka hapur kontaktet për të siguruar shërbimet e një emri të papritur nga Liga Premier.
Të lidhura
None found
Teksa Kupa e Botës ka mbërritur në fazën gjysmëfinale, lojtarët po kthehen pak nga pak në klubet e tyre për të nisur përgatitjet për edicionin 2026/27.
Në të njëjtën kohë, merkatoja e verës po futet në periudhën më të nxehtë. Manchester United zyrtarizoi të hënën (13 korrik) blerjen e Andrey Santos nga Chelsea për 48 milionë funte dhe paralelisht është në negociata të avancuara për mesfushorin e Aston Villas, Youri Tielemans.
Aston Villa synon të mos ndahet nga kapiteni i Belgjikës, megjithëse mund të jetë e detyruar ta shesë në rast se United vendos të aktivizojë klauzolën e tij të lirimit prej 35 milionë funtesh.
Megjithatë, Tielemans mund të mos jetë i vetmi futbollist që pritet të largohet nga “Villa Park” në ditët e ardhshme. Sipas raportimeve, kampioni i Evropës, Paris Saint-Germain, është pranë përmbylljes së marrëveshjes për mbrojtësin e majtë të Aston Villas, Lucas Digne, i cili ndodhet aktualisht me Francën në Kupën e Botës.
Sipas The Athletic, kontrata e Digne përmban një klauzolë largimi nën 10 milionë euro, ndërsa marrëveshja e tij aktuale me ekipin anglez ka edhe dy vite afat.
Ndonëse francezi është alternativa kryesore e Unai Emeryt në të majtë të prapavijës, Aston Villa e sheh Ian Maatsen si zëvendësuesin e tij në planin afatgjatë.
Lucas Digne kaloi te Aston Villa nga Evertoni gjatë afatit kalimtar të janarit 2022 dhe, që prej atëherë, ka regjistruar 182 paraqitje për klubin.
Në të kaluarën ai ka veshur edhe fanellat e Barcelonës, Romës dhe Lilles. Digne ka qenë më herët pjesë e Paris Saint-Germainit, nga viti 2013 deri në vitin 2016, periudhë në të cilën fitoi dy tituj të Ligue 1.
Mbrojtësi francez ka zhvilluar 62 ndeshje me përfaqësuesen e Francës dhe ka luajtur në katër takime gjatë rrugëtimit të “Gjelave” deri në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
