Një publikim i Vllaznisë në rrjetet sociale, i bërë pak çaste përpara se të mësohej kundërshtari i saj në raundin e parë të Conference League, ka shkaktuar habi, pasi klubi shkodran e cilësoi ekipin dhe qytetin e Malishevës si “fqinjë”.
Në mesazhin e publikuar, Vllaznia shkruante: “Në prag të hedhjes së shortit, kemi hedhur një sy në hartë për të parë se sa kilometra na ndajnë nga kundërshtarët tanë të mundshëm në turin kualifikues të UEFA Conference League.”
Të lidhura
None found
Më tej, klubi vijonte me frazën: “Nga fqinjët tanë në Kosovë e deri te transfertat e largëta në veri të Europës”, por më pas e korrigjoi këtë formulim, duke e zëvendësuar me fjalën “vëllezrit”.
Pas kësaj, nuk vonoi reagimi i Malishevës, që iu kundërpërgjigj në këtë formë: “Përshëndetje KF Vllaznia, shihemi së shpejti në Shkodër. Shorti na vë përballë vëllezërve tanë nga Shkodra. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Shkodër, ndërsa e kthimit në Prishtinë”.
