Portugezi që bëri revolucion: Si mund ta pëlqejnë tifozët VAR-in? Gjyqtari e shpjegoi vendimin e tij me altoparlant

Teknologjia VAR tashmë është bërë pjesë e pandashme e futbollit, por ka ende tifozë që janë të pakënaqur me të. Kjo vlen sidomos për ata tifozë që ndodhen në stadium, të cilët nuk e kanë luksin të shohin përsëritjen dhe shpeshherë nuk e dinë pse u anulua goli i ekipit të tyre.

Gjyqtari portugez Fabio Verissimo bëri revolucion në futboll mbrëmë në takimin mes Rio Ave dhe Braga.

Ata barazuan 0:0 në xhiron e 25-të të kampionatit, ndonëse rrjeta e vendasve u trondit në minutën e 64-të të takimit.

Banza shënoi për të kaluar mysafirët në epërsi, por pak më pas festa e lojtarit të Braga u ndërpre kur gjyqtarët nga dhoma e VAR-it e anuluan golin.

Në mënyrë që shikuesit në stadium ta kuptojnë më mirë vendimin, mbrëmjen e djeshme në Portugali është krijuar një precedent dhe arbitri i ndeshjes ka shpjeguar publikisht në detaje me altoparlant arsyen pse u anulua goli.

Gjyqtari Verissimo shpjegoi me detaje se goli u anulua në dhomën e VAR-it për shkak të pozicionit jashtë loje dhe u bë arbitri i parë i futbollit që njoftoi spektatorët për vendimin e tij në këtë mënyrë.

Kjo procedurë kryhet prej vitesh në ligën më të fortë të futbollit amerikan, NFL dhe nëse do të zërë rrënjë në futboll, mbetet për t’u parë.

Mbi të gjitha, kjo lloj transparence vendimesh duhet të përmirësojë futbollin, por edhe të kënaqë spektatorët në stadium, të cilët kanë parë me habi të panumërta deri tani atë që po ndodh në fushë gjatë ndërhyrjes së VAR-it./Telegrafi/


Shtuar 10.03.2024 15:02

Tags: