Getafe po shqyrton mundësinë e një tjetër transferimi të bujshëm, këtë herë me objektiv Jadon Sanchon, vetëm pak kohë pasi siguroi Dani Carvajalin si futbollist të lirë.
Të lidhura
None found
Sipas DAZN Espana, klubi nga La Liga ka nisur të interesohet për anësorin anglez, i cili aktualisht është pa skuadër pas largimit nga Manchester Unitedi gjatë verës.
Jose Bordalas e vlerëson shumë Sanchon dhe trajneri i Getafes do të ishte i kënaqur ta kishte lojtarin në dispozicion për sezonin e ri.
Çështja kryesore që mund të pengojë marrëveshjen lidhet me pagën e anglezit, e cila raportohet se arrin në rreth katër milionë euro.
Klubi spanjoll u detyrua më herët të riorganizonte strukturën e pagave për të respektuar kufirin financiar të vendosur nga rregullat e La Ligës dhe për të regjistruar Carvajalin. Për këtë arsye, përfshirja e një tjetër lojtari me kërkesa të larta ekonomike do të ishte veçanërisht e komplikuar.
Pavarësisht vështirësive, drejtuesit e Getafes po kërkojnë rrugë alternative për ta realizuar transferimin. Një prej zgjidhjeve që po merret në konsideratë lidhet me lëndimin afatgjatë të Juanmit, i cili mund të krijojë hapësirën e nevojshme në listën e pagave për regjistrimin e Sanchos.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Getafe do të arrijë të bindë anësorin anglez dhe të zgjidhë pengesat financiare, në një operacion që do të ishte një tjetër goditje e madhe për klubin.





