Oriku ka zyrtarizuar afrimin e Williams Ipehe, sulmuesit 25-vjeçar nga Bregu i Fildishtë, i cili bëhet përforcimi më i fundit i skuadrës.
Futbollisti ka mbyllur aventurën me klubin armen FC Hayk dhe tashmë do të vijojë karrierën në Kategorinë e Parë të Shqipërisë. Me Orikun, Ipehe ka nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare, e vlefshme deri në verën e vitit 2028.
Të lidhura
None found
Klubi vlonjat e bëri publik transferimin përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku e prezanton afrimin e ri si një qendërsulmues që pritet të ndihmojë ekipin me golat e tij.
Gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij, Williams Ipehe është aktivizuar në Armeni, ku ka veshur fanellat e Artsakh, FC Van dhe FC Hayk.
Oriku ka bërë të ditur se sulmuesi afrikan mund të japë kontributin që në ndeshjen e parë të kampionatit, e planifikuar për nesër kundër Korabit.
“KF Oriku ka kënaqësinë të prezantojë Williams Ipehe si përforcimin më të ri të skuadrës. Qendërsulmuesi 25-vjeçar vjen nga Bregu i Fildishtë, ndërsa pjesën më të madhe të karrierës e ka zhvilluar në Armeni, ku ka luajtur për Artsakh, FC Van dhe FC Hayk.
Ipehe do të jetë pjesë e klubit tonë për dy sezonet e ardhshme, me synimin për të ndihmuar skuadrën me golat e tij. Bomberi është gati të japë kontributin e tij që në sfidën e parë të kampionatit, nesër ndaj Korabit. Mirë se vjen, Williams! Sa më shumë gola e fitore bashkë!”, thuhet në njoftimin e Orikut.
