Nuk është në planet e Flick, Barcelona i vendos çmimin Ansu Fatit

Ansu Fati është rikthyer te Barcelona pas huazimit të pasuksesshëm në Angli te Brightoni.

Megjithatë rikthimi i tij në Kataluni është i përkohshëm, pasi lojtari nuk pritet të mbetet edhe gjatë te Barça.

Edhe pse pritej që trajneri Hansi-Flick t’i japë hapësira, një gjë e tillë nuk do të ndodhë me gjermanin që tanimë i ka bërë të qartë sulmuesit anësorë se nuk llogarit në shërbimet e tij.

Sipas asaj që ka raportuar Mundo Deportivo, bordi i Barcelonës ka vendosur që Ansu Fati të largohet nga Camp Nou për shumën e 40 milionë eurove.

Skuadra nga liga të ndryshme evropiane janë të vëmendshme ndaj situatës së tij, duke e ditur se një investim te Fati mund të rezultojë në një pasuri të vlefshme në planin afatmesëm dhe afatgjatë.

21-vjeçari dështoi te Brighton, pasi në 27 ndeshje zyrtare në të gjitha garat shënoi vetëm katër gola dhe asistoi në një tjetër.

Sevilla dhe Valencia duan ta mbajnë Fatin në La Liga, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që lojtari të lëvizë edhe në Arabinë Saudite ku ka disa oferta shumë të vlefshme financiare. /Telegrafi/


Shtuar 27.06.2024 16:41