Nuk arriti dot marrëveshje me Conten, “spurs” afër firmës me Fonsecan

Rokadë trajnerësh mes Romës dhe Tottenham. Mund të konsiderohet edhe si një ironi e fatit sepse pas refuzimesh të shumta të marra nga trajnerë si Conte apo Pochettino, Tottenham Hotspur sipas të gjitha gjasave në sezonin e ardhshëm do të drejtohet nga portugezi Paulo Fonseca.

Pikërisht këtij të fundit Roma vendosi të mos i rinovojë kontratën në skadencë duke emëruar në stol një emër të madh si Jose Mourinhos që në sezonin e fundit ishte pjesë e Spurs-ave të cilët e shkarkuan pak javë para fundit të kampionatit.

Fabio Paratici i cili në orët e ardhshme pritet të zyrtarizohet si drejtori i ri sportiv i Tottenham me një kontratë deri në vitin 2024, ka zgjedhur pikërisht portugezin Paulo Fonseca për stolin e skuadrës londineze.

Ish-trajneri i Shakthar Donetsk dhe Romës ka rënë parimisht dakort me me Paraticin për një kontratë 3-vjeçare me një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon plus bonuset. Orët e ardhshme do të jenë deçizive përsa i përket këtij operacioni merkatoje edhe pse gjasat janë që gjithçka të mbyllet me sukses me Fonsecën që pritet të shndërrohet në trajnerin e ri të Tottenham Hotspur për të bërë kështu të mundur rokadën e teknikëve mes Romës dhe klubit londinez.


Shtuar 10.06.2021 11:34