Deivid Hoxha, i transferuar gjatë merkatos së verës te Egnatia nga Panetolikos-i i Superligës greke, debutoi me kampionët e Superiores në përballjen ndaj Partizanit, të cilën skuadra rrogozhinase e fitoi 2–1.
Të lidhura
None found
Pas ndeshjes, qendërsulmuesi 19-vjeçar u shpreh për platformat sociale të klubit se kjo sfidë ishte shoqëruar me emocione të veçanta, ndërsa theksoi se kishte zbatuar detyrat e dhëna nga trajneri.
“Ishte ndeshja ime e parë me Egnatian dhe përjetova shumë emocione. U përpoqa të zbatoja udhëzimet e trajnerit. Fituam ndaj Partizanit dhe te Egnatia po ndihem shumë mirë.
Të gjithë më kanë ndihmuar këtu dhe ndihem mirë. Jam i kënaqur me veten, ndërsa në çdo seancë stërvitore mundohem të jap maksimumin. Jam gati për trajnerin dhe skuadrën”, deklaroi Hoxha.
