Jose Mourinho e ka përcaktuar qartë identitetin që kërkon t’i japë Real Madridit në sezonin e ardhshëm: ritëm maksimal dhe një mënyrë loje sa më të drejtpërdrejtë.
Të lidhura
None found
“Diario AS” raporton se tekniku portugez është i kënaqur me grupin kryesor të futbollistëve, por dëshiron ndërhyrje të tjera në merkato për ta përshtatur skuadrën plotësisht me filozofinë e tij.
Në këtë projekt, afrimi i Yan Diomande vlerësohet si një element thelbësor. Talenti i ri shihet si profili që mund të sjellë shpejtësinë, forcën fizike dhe shpërthimin e kërkuar nga Mourinho, duke e rritur rrezikshmërinë e Real Madridit në sulm.
Ndërkohë, lojtarët që po kthehen gradualisht nga pushimet pas Kupës së Botës po njihen personalisht me konceptet e reja taktike të trajnerit. Vëmendja kryesore është vendosur te vertikalizimet, kalimet me shpejtësi dhe kundërsulmet.
Aktiviteti i Real Madridit në merkato nuk konsiderohet ende i mbyllur. Deri në përfundimin e afatit kalimtar priten lëvizje të tjera, pasi Mourinho kërkon një transformim të plotë të skuadrës, të mbështetur te tranzicionet e shpejta dhe intensiteti i lartë në të gjitha fazat e lojës.
Objektivi i radhës për Real Madridin është nënshkrimi i Rodrit nga Manchester City. Klubi synon gjithashtu të largojë disa futbollistë përpara se të tentojë afrimin e një qendërmbrojtësi, ndërsa Alessandro Bastoni i Interit përbën një alternativë konkrete.
