Rustem Hoxha nuk do të luajë më futboll. Edhe pse pas ndarjes nga Dinamo e Ilir Dajës ishte prezantuar te Teuta, mbrojtësi ka marrë vendimin të tërhiqet dhe ta mbyllë karrierën në moshën 35-vjeçare.
Karrierën e tij Hoxha e nisi te “Djemtë e Detit”, ndërsa më pas veshi fanellat e Luftëtarit, Kukësit, Ballkanit dhe Dinamos.
Të lidhura
None found
Sa u takon sukseseve, ai ka fituar me Teutën titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën e Shqipërisë. Ndërkaq, me Ballkanin ka triumfuar dy herë në Superligën e Kosovës, ndërsa me Dinamon ka fituar edhe një Kupë Shqipërie.
Pas 18 vitesh karrierë, erdhi momenti që t’i jap fund rrugëtimit tim si futbollist. Dua të falënderoj shumë klubin e KF Teutës për mundësinë që më dhanë të provoja edhe një herë të rikthehesha në fushë. Pavarësisht dëshirës, punës dhe sakrificave të mia të mëdha, këtë herë ishte e pamundur që të luaja përsëri në nivelin që dëshiroja.
Ka qenë një karrierë e gjatë, e mbushur me sakrifica dhe momente të vështira, por falënderoj Zotin që pjesën tjetër të këtij rrugëtimi ma ka shpërblyer me shumë suksese, trofe dhe kujtime të paharrueshme. Faleminderit të gjitha klubeve ku kam pasur mundësinë të luaj: Teutës, Ballkanit, Dinamos, Kukësit dhe Luftëtarit. Faleminderit drejtuesve, trajnerëve, stafit, shokëve të skuadrës dhe tifozëve që kanë qenë pjesë e kësaj historie.
Një falënderim i veçantë shkon për familjen time, e cila ka qenë gjithmonë pranë meje, më ka mbështetur në çdo moment dhe ka ndarë me mua çdo sakrificë, vështirësi dhe gëzim gjatë këtij rrugëtimi. Sot mbyllet një kapitull shumë i rëndësishëm i jetës time, por dashuria për futbollin do të mbetet gjithmonë me mua. Faleminderit futboll.
