Në Manastir po zbatohet një cikël i gjerë investimesh në arsim me mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, theksoi ministrja Vesna Janevska gjatë inspektimit të punimeve në lagjen Bukovski Livadi.
Të lidhura
None found
Sipas saj, Qeveria po vazhdon të investojë fuqishëm në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, me synimin që çdo nxënës, pavarësisht vendbanimit, të ketë mundësi të barabarta për arsim cilësor.
Në këtë lagje po kryhen punime për përshtatjen e një objekti që deri në fund të vitit do të vihet në funksion si shkollë e re vartëse e SHFK “Kole Kaninski”. Investimi kap vlerën e 31 milionë denarëve dhe po realizohet nga vetëqeverisja lokale me përkrahje të Qeverisë. Punimet i panë nga afër sot kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, si dhe kryetari i Manastirit, Toni Konjanovski.
“Urime për këtë investim të rëndësishëm të komunës së Manastirit, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë. Është e rëndësishme të ndërtohet aty ku ka nevojë reale, të përmirësohet infrastruktura arsimore dhe kudo të krijohen kushte për arsim cilësor. Me adaptimin e këtij objekti, i cili do të ketë pesë klasë, bibliotekë dhe hapësira sanitare, përfshirë edhe për nxënës me nevoja të veçanta arsimore, fëmijët e lagjes Bukovski Livadi do të mund ta përfundojnë arsimin fillor në vendbanimin e tyre, në vend që çdo ditë të udhëtojnë në zona të tjera. Kështu u kursejmë kohë dhe u mundësojmë të përkushtohen më shumë në mësim dhe të arrijnë rezultate edhe më të mira”, deklaroi Janevska.
Ajo nënvizoi se ky projekt përbën vetëm një segment të investimeve të rëndësishme që po zhvillohen në Manastir me mbështetjen e institucioneve qendrore.
“Komuna nuk është e vetme në përpjekjet për arsim më të mirë. Janë siguruar mjete për rreth 15 investime infrastrukturore. Ministria tashmë ka përfunduar rikonstruksionin e sallës sportive në SHFK ‘Elpida Karamandi’, është në ndërtim një nga tre sallat e reja sportive shkollore, po finalizohet ndërtimi i shtatë fushave sportive shkollore, do të rikonstruktohen katër shkolla, ndërsa nga viti i ardhshëm fillon rikonstruksioni i konviktit studentor ‘Koço Racin’. Bëhet fjalë për një cikël investimesh me vlerë mbi 450 milionë denarë, pra më shumë se 7 milionë euro, me të cilin do të përmirësohen ndjeshëm kushtet për arsim dhe sport në Manastir”, theksoi Janevska.
