Mason Greenwood jep një intervistë të rrallë pasi fitoi çmimin e parë gjatë huazimit tek Getafe

Mason Greenwood ka dhënë një intervistë të rrallë pasi fitoi një çmim gjatë huazimit të tij tek Getafe.

Greenwood po luan në huazim tek Getafe për pjesën e mbetur të sezonit, pasi u vendos se ai nuk ka më një të ardhme në “Old Trafford”.

Ky vendim i United erdhi pas akuzave që u ngritën tek Greenwood për tentativë përdhunimi, sulmi dhe kontrolli, akuza këto që më pas u hodhën poshtë nga Prokuroria.

Që prej transferimit tek Getafe në shtator, 22-vjeçari ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë katër asistime në 15 ndeshje, teksa performancat e tij gjatë dhjetorit kanë bërë që ai të shpallet lojtari më i mirë i muajit tek Getafe.

Në një intervistë të rrallë, Greenwood ka folur për faqen zyrtare të klubit për jetën në Spanjë, si dhe mbështetjen që mori nga tifozët.

“Gjithçka po shkon mirë, unë jam adaptuar shumë shpejtë. Bashkëlojtarët e mi po më dhurojnë mbështetje dhe unë jam ndjerë shumë i lumtur prej se kam ardhur këtu, duke u stërvitur dhe duke luajtur ndeshje”, ka thënë fillimisht anglezi.

“Tifozët kanë rëndësi shumë për mua. Ndjenja ime më e mirë deri më tani ishte kur shënova golin e parë në stadium dhe pashë festën e tifozëve”, është shprehur anglezi.

E ardhmja e Greenwoodit mbetet e pasigurtë, teksa klube si Barcelona, Atletico Madrid dhe Milan, që të gjitha ka pasur raportime se janë të interesuara për shërbimet e tij. /Telegrafi/


Shtuar 13.01.2024 20:01