Real Madridi ka shtuar përpjekjet për transferimin e Rodrit, pasi mesfushori i Manchester Cityt vlerësohet si përforcimi ideal për këtë repart.
Të lidhura
None found
L’Equipe raporton se kërkesa për afrimin e reprezentuesit spanjoll është bërë drejtpërdrejt nga Jose Mourinho. Trajneri e konsideron Rodrin një element thelbësor të projektit të tij në “Santiago Bernabeu”.
Manchester City, megjithatë, nuk është i gatshëm të ndahet lehtësisht me një nga futbollistët kryesorë të ekipit.
Klubi anglez e ka vlerësuar kartonin e 30-vjeçarit në 100 milionë euro, duke sinjalizuar se negociatat mund të fillojnë vetëm nëse të interesuarit janë të gatshëm ta paguajnë këtë shumë.
Gjatë këtij afati kalimtar, Real Madridi ka qenë veçanërisht aktiv, duke siguruar transferimet e Marc Cucurellas, Denzel Dumfriesit, Ibrahima Konates dhe Bernardo Silvas, ish-bashkëlojtarit të Rodrit te Manchester City.
Drejtuesit e klubit madrilen mendojnë se transferimi i Rodrit do ta plotësonte mesfushën dhe do t’i siguronte skuadrës ekuilibrin e domosdoshëm për të luftuar për trofetë më prestigjiozë në Evropë.
Në anën tjetër, Manchester City ka një vlerësim maksimal për mesfushorin spanjoll, i cili përjetoi një verë historike pasi e udhëhoqi Spanjën, në rolin e kapitenit, drejt triumfit në Kupën e Botës 2026.
Edhe në moshën 30-vjeçare, Rodri shihet si një lojtar në kulmin e karrierës, falë zgjuarsisë taktike, ndikimit vendimtar në mesfushë dhe aftësisë për të diktuar ritmin e ndeshjes.
Raportimet bëjnë të ditur se pozicioni i palëkundur i Cityt lidhet gjithashtu me faktin që Rodri ka hedhur poshtë disa propozime për zgjatjen e kontratës në “Etihad Stadium”. Kjo situatë ka nxitur më tej zërat për një largim të mundshëm gjatë kësaj vere.
