Gjithçka shkon ashtu siç pritej për Manchester City-n. “Qytetarët” nuk lënë vend për surpriza, teksa mposhtin Borussia Monchengladbach me shifrat 2-0, po i njëjti rezultat si në përplasjen e parë mes tyre.
Djemtë e Guardiolës nuk janë lodhur shumë për të gjetur rrugën e rrjetës, pasi i pari do të vinte që në minutën e 12.
De Bruyne nxjerr një perlë nga repertori i tij.
I gjendur jashtë zone në pozicionin e duhur për të goditur, mesfushori i talentuar belg nuk e mendon dy herë të shënjestrojë kuadratin.
E majta e tij prodhon një mrekulli, duke e ndalur topin në rrjetën e skuadrës gjermane. Vetëm 6 minuta më vonë është Gundogan ai që dyfishon shifrat dhe vulos fatin e takimit.