Luhen dy ndeshje të javës së shtatë, spikat klasikja e futbollit shqiptar

Pas ndeshjes mes Dinamos dhe Kukësit, e cila përfundoi me fitoren e verilindorëve 0-1, java e shtatë e kampionatit shqiptar vijon ditën e sotme me dy takime të ndara në dy fasha orare.

Kështu, në orën 13:45 do të luhet sfida mes Laçit dhe Skënderbeut. Një ndeshje që pritet të jetë mjaft e luftuar, duke parë që skuadrat duan të dalin nga zona e ftohtë e tabelës.

Kurbinasit vijnë me ndryshime në këtë takim. Mirel Josa debuton ditën e sotme në stolin  e Laçit. Ironia e fatit e vendos trajnerin kundër ish-skuadrës së tij që në të shkuarën fitoi 4 tituj kampion rresht, ndërsa sot do duhet ti mundë për të nisur me këmbë të mbarë aventurën e re.

Sfida më interesante e ditës së sotme luhet në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Shkodranët u mundën 0-2 nga Kukësi javën e kaluar, dhe në këtë takim kërkojnë të reagojnë për të lënë pas krahëve atë humbje të rëndë.

Ndërkohë, bardheblutë nga ana tjetër vijnë me moralin e lartë, pas fitores në derbi 1-0 ndaj Partizanit. Pas 3 fitoreve radhazi, skuadra e Orges Shehit kërkojnë të stabilizojnë vazhdimësinë për një seri që konfirmon ambiciet e tyre madhore.


Shtuar 30.10.2021 10:02