Lewandowski tregon se kush është trajner më i mirë mes Guardiolës dhe Klopp

Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, ka zbuluar se kë preferon ai më shumë mes Jurgen Klopp dhe Pep Guardiola.

Sot (e diel), Liverpooli do të jetë nikoqir i Manchester Cityt në një përballje që mund të vendosë se kush do të jetë në fund fitues i Ligës Premier.

Sidoqoftë, ky takim do të jetë edhe më i veçantë për faktin se do të jetë takimi i fundit ballë për ballë i Kloppit dhe Guardiolës.

Lewandowski është në mesin e atyre pak lojtarëve që e ka pasur privilegjin që të luajë nën urdhrat e të dy trajnerëve.

Reprezentuesi polak ka shënuar 102 gola në 186 paraqitje për Kloppin gjatë kohës sa dyshja ishin së bashku tek Borussia Dortmundi, para se të shënonte 67 gola në 100 paraqitje nën urdhrat e Guardiolës tek Bayern Munich.

Dhe kur u pyet se kë preferon mes tyre, Lewandowski ka zgjedhur teknikun gjerman.

“Mendoj se Jurgen Klopp dhe pas tij Pep Guardiola. 100 përqind. Klopp ka dy fytyra. Ju mund ta shihni se ai është si baba, por pjesa e dytë është si trajner”.

“Ai mund të iu tregojë gjithçka dhe nuk po flas vetëm për gjërat e mira por edhe për gjërat e këqija. Gjithashtu për lojtarët ai është një motivim i madh”, ka thënë Lewandowski në një intervistë për ESPN. /Telegrafi/