“Koha që dominimi i Real Madridit të mbarojë”, trajneri i Dortmundit bën pretendimin e guximshëm

Edin Terzic është i vendosur që ta udhëheq Borussia Dortmundin drejt lavdisë në Ligën e Kampionëve dhe është i gatshëm për testin e fundit në finalen ndaj Real Madridit.

Borussia Dortmundi do të takohet me Real Madridin në finale të Ligës së Kampionëve në ‘Ëembley’ këtë të shtunë.

Verdhezinjtë e Dortmundit po futen në këtë takim jo si skuadra favorite për ta fituar finalen pasi Real Madridi e ka fituar këtë trofe 14 herë dhe ka më shumë përvojë.

“Ne nuk jemi të kënaqur vetëm me faktin se jemi në finale, ne duam të investojmë gjithçka që ta sjellim trofeun në Dortmund. Ne kemi një energji të madhe brenda grupit dhe një besim të madh se mund të arrijmë diçka të veçantë”, ka thënë fillimisht Terzic.

Duke pasur parasysh historinë magjepsëse të Real Madridit dhe eksperiencën e tyre, Terzic e di se gjithçka mund të ndodhë në një finale të Ligës së Kampionëve.

“Ne jemi përballë ndaj një kundërshtari tejet të fortë, një ekipi që e ka fituar këtë trofe 14 herë dhe pesë herë në dhjetë vitet e fundit, por kjo nuk ka rëndësi. Çdo gjë është e mundur brenda një ndeshje, ne e kemi dëshmuar këtë, veçanërisht këtë sezon, në këtë garë”.

“Edhe pse ata kanë fituar tetë finale radhazi, e vetmja gjë që numërohet është ajo që do të ndodhë në këtë finale, është koha që ta ndërprejmë këtë seri të Real Madridit”, është shprehur gjermani.

“Tani do të udhëtojmë në Londër me të njëjtit tifozë që na mbështetën në atë ndeshje të hidhur (ndeshja e fundit në Bundesliga), vazhdoni të na mbështetni dhe të këndoni me orë të tëra. Është koha që të dhurojmë diçka, dhe shpresoj se do të festojmë së bashku”, përfundoi ai. /Telegrafi/


Shtuar 28.05.2024 20:08