Klopp tregon sekretin që fshihet mbrapa formës së jashtëzakonshme të Liverpoolit këtë sezon

Jurgen Klopp ka treguar sekretin që fshihet mbrapa suksesit të Liverpoolit këtë sezon teksa ata janë në garë për të fituar katër trofe.

Liverpool ka pasur një krizë të madhe lëndimesh gjatë muajve të fundit, pasi disa prej yjeve të tyre mbetën jashtë fushave shkaku i lëndimeve.

Përkundër pengesave gjatë rrugës, klubi arriti që të mbetej i pamposhtur në nëntë ndeshjet e tyre të fundit në të gjitha garat.

Ata tashmë kanë fituar Carabao Cup dhe janë në rrugën e duhur për të fituar FA Cup, Ligën Premier dhe Ligën e Evropës.

Klopp tani ka shpjeguar se si ekipi i tij ia doli që t’i tejkalojë të gjitha vështirësitë këtë sezon, teksa ai pretendoi se ka një strukturë që secili lojtar i ekipit e ndjekë dhe kjo ka ndihmuar që të mos rrëshqasin as në rrethanat e vështira.

“Natyrisht, është eksperienca në dhomën e zhveshjes por gjithashtu edhe struktura që ne e vendosim në fushë. Është zhvilluar shumë gjatë sezonit. Ju mund ta shihni se ne nuk e ndryshojmë mënyrën se si luajmë dhe djemtë e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, ka thënë fillimisht Klopp.

“Nëse ata nuk luajnë të paktën stërviten në të njëjtën mënyrë kështu që kur ata futen në fushë të dinë saktësisht se çfarë të bëjnë. Nuk është gjithmonë diçka ndryshe. Lojtarët kanë ndryshuar por ne jo. Ne luajmë ashtu siç duam ne. E kemi bërë që nga dita e parë e sezonit dhe ka bërë shumë diferencë”, përfundoi tekniku gjerman. /Telegrafi/


Shtuar 17.03.2024 15:19