Partizani do të përballet nesër me Teutën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, në kuadër të javës së 10-të të “Abissnet Superiore”. Takimi është programuar të nisë në orën 18:30. Në prag të kësaj sfide, trajneri i të kuqve, Mislav Karoglan, foli për mediat.
Partizani pësoi një tjetër humbje ndaj Elbasanit.
Të lidhura
None found
Edhe pse rezultati nuk ishte në favorin tonë, paraqitja në ndeshjen e fundit ishte pozitive. Patëm mundësi të merrnim tri pikët, por nuk shfrytëzuam tri raste të pastra. Kjo është pjesë e futbollit.
A ju kanë mjaftuar këto tre javë për t’i përcjellë idetë tuaja te skuadra?
Kam bërë një analizë të plotë, por nuk kam dashur ta bëj publike. Unë vazhdoj të kem besim te kjo skuadër. Sinqerisht, dëmtimet kanë qenë të shumta dhe të papritura për mua, pasi çdo javë po humbasim nga një lojtar.
Si e shikoni përballjen me Teutën?
Teuta dhe Egnatia janë dy prej ekipeve favorite për të fituar titullin. Ne do të përpiqemi të bëjmë përmirësime, të jemi më të përqendruar te detajet dhe te paraqitja individuale, në mënyrë që të ndërtojmë një skuadër më të mirë. Në çdo takim pres gjithmonë një rezultat pozitiv.
Frika nuk ekziston për mua në futboll dhe nuk mund ta pranoj atë. Këtë ua thashë edhe lojtarëve gjatë analizës së djeshme. Frika është kundërshtari më i madh, ndaj duhet të hyjmë të motivuar dhe të tregojmë grintë e karakter kundër Teutës.
A është në gjendje ky grup lojtarësh ta përballojë situatën?
Pa dyshim. Jam i bindur se gjithçka është vetëm çështje kohe. Lojtarët më kanë dhënë përgjigje shumë të mira. Po zbatojmë edhe metoda të reja, megjithëse në praktikë kemi rreth gjysmën e skuadrës të dëmtuar. Gjithsesi, nuk dua të përdorim alibi.






