Juventusi bën goditjen e madhe, siguron shërbimet e yllit të Bolognas

Juventusi ka nisur qysh tani të mendoj për sezonin e ri, pasi qëllimi është të rikthehen në skuadër konkurruese për trofe si në kampionat ashtu edhe në Evropë.

Drejtuesit e Zonjës sëVjetër tanimë kanë arritur një marrëveshje për të afruar në radhët e veta yllin e ri italian Riccardo Calafiori i cili po shkëlqen me Bolognën.

Calafiori do të transferohet në Torino në huazim me detyrim blerjeje, për një shifër totale prej 25 milionë eurosh, teksa gjasat janë që në marrëveshje të përfshihet edhe ndonjë prej të rinjve të Juventusit.

Mbrojtësi do të zëvendësojë brazilianin Alex Sandro, i cili do të largohet me parametra zero në fund të sezonit, teksa Calafiori është një alternativë e vlefshme, pasi di të luajë në të gjithë pozicionet e krahut të majtë, qoftë në rreshtimin me tre apo me katër në mbrojtje.

Përveç kësaj mbrojtësi i ri italian luan shumë mirë edhe në qendër të mbrojtjes që është një plus i madh për të.

Zyrtarizimi i kësaj marrëveshje mes dy klubeve pritet të bëhet në fund të sezonit, derisa Calafiori po pret një ftesë nga Kombëtarja e Italisë për të marrë pjesë në Euro 2024.

Vlen të theksohet se lojtari ka dalë nga Akademia e Romës, derisa një vit e kaloi në Zvicër te Baseli. /Telegrafi/


Shtuar 1.05.2024 16:32