KF Drenica ka hyrë në një fazë të re të sezonit me Gentian Mezanin në drejtimin e ekipit, ndërsa synimi kryesor mbetet sigurimi i qëndrimit në elitën e futbollit kosovar.
Klubi nga Skenderaj ndodhet aktualisht në pozitën e tetë të tabelës, me 11 pikë të mbledhura, dhe kërkon të përmirësojë paraqitjet për të garantuar pjesëmarrjen në Superligë edhe sezonin e ardhshëm.
Të lidhura
None found
Emërimi te Drenica përbën një sfidë të re për Mezanin, i cili ka marrë përsipër detyrën që skuadra të arrijë objektivin e përcaktuar nga drejtuesit e klubit: mbijetesën.
Trajneri Mezuni foli për Telegrafin rreth arsyeve që e bindën të pranonte ofertën, objektivit të ekipit, punës së bërë nga paraardhësi i tij dhe rolit që pritet të kenë tifozët gjatë këtij rrugëtimi.
“Arsyeja kryesore është se këtë punë e bëj me shumë pasion dhe nuk mund të qëndroj larg fushave të futbollit. Këtë mundësi, kësaj radhe, ma ofroi kryesia e Drenicës”, deklaroi fillimisht Mezani për Telegrafin.
Sa i përket synimeve të klubit, Mezani nënvizoi se në rrethanat aktuale fokusi duhet të jetë vetëm te sigurimi i mbijetesës në Superligë.
“Objektivi që ka vendosur kryesia është qëndrimi në Superligë, për të cilin ne do ta bëjmë të pamundurën që ta arrijmë”, theksoi trajneri nga Shqipëria.
Duke komentuar pikët e grumbulluara deri tani, Mezuni tha se 11 pikët e Drenicës nuk përbëjnë një bilanc të madh, por as nuk duhen nënvlerësuar. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e trajnerit të mëparshëm.
“11 pikë nuk janë shumë, por as pak. Për këtë dua ta falënderoj edhe trajnerin e mëparshëm, pasi ka bërë një punë të mirë”, u shpreh Mezuni.
Sipas tij, hapi i parë është përqendrimi te sfidat e ardhshme dhe sigurimi i sa më shumë pikëve. Vetëm pas kësaj, ekipi mund të mendojë për ndryshimin e objektivit fillestar.
“Objektivi ynë për momentin është vetëm mbijetesa dhe nuk mund të vendosim një objektiv tjetër. Megjithatë, duke i marrë ndeshjet një nga një, do të shikojmë mundësinë për të grumbulluar sa më shumë pikë. Më pas do të jemi në gjendje të vendosim nëse mund ta ndryshojmë objektivin apo jo”, deklaroi ai.
Mezani e mbylli prononcimin e tij me një apel për përkrahje drejtuar tifozëve të Drenicës, të cilët i konsideron të rëndësishëm për arritjen e synimit të ekipit.
“Unë personalisht mund t’u them vetëm se kjo skuadër ka shumë nevojë për ta. Duhet të na mbështesin sa më shumë, duke na dhënë forcë për ta bërë objektivin të arritshëm, pasi mbështetja e tyre është energji për ne”, përfundoi Mezani.







