Përfaqësues të Fenerbahçes kanë zhvilluar takime me drejtuesit e Milanit për të diskutuar kalimin e mundshëm të sulmuesit Rafael Leao, por disa pengesa thelbësore financiare dhe sportive e mbajnë marrëveshjen larg përfundimit.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve nga Italia, grupi negociator i klubit turk, i drejtuar nga Cihan Kamer, qëndroi në Milano për bisedime me zyrtarët e skuadrës italiane, përpara se të nisej drejt Polonisë për ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve kundër Gornik Zabrze.
Arritja në fazën e grupeve të këtij kompeticioni shihet si thelbësore për të bindur Leaon, pasi prania në Ligën e Kampionëve do t’i jepte një peshë të konsiderueshme ofertës së Fenerbahçes. Në këtë pikë, Galatasaray ka një avantazh, pasi tashmë e ka të siguruar pjesëmarrjen falë titullit kampion në Turqi.
Megjithatë, sfidat nuk mbarojnë këtu. Milani kërkon një shumë prej 50 milionë eurosh plus bonuse për transferimin përfundimtar të sulmuesit portugez dhe nuk pranon formula që përfshijnë huazim me detyrim blerjeje, të cilat do ta shtynin pagesën në të ardhmen.
Edhe vetë lojtari ka pretendime të larta ekonomike, duke kërkuar një pagë minimale prej 10 milionë eurosh në sezon, së bashku me shpërblime shtesë.
Në këtë garë për shërbimet e tij mbetet pjesëmarrës edhe Besiktasi, ndërsa deri tani vetëm klubet turke kanë shfaqur interes të prekshëm për përfaqësuesin portugez.
Për momentin nuk priten lëvizje të menjëhershme dhe procesi i bisedimeve mund të vazhdojë gjatë gjithë periudhës së merkatos.
