Meriton Korenica, një nga emrat e spikatur të Kombëtares së Kosovës, është pranë një lëvizjeje të rëndësishme në karrierë, me mundësinë për t’u transferuar në Serie A, një prej kampionateve më të forta në botë.
Të lidhura
None found
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se Monza, skuadra italiane që drejtohet nga trajneri kroat Ivan Juric, ka shfaqur interes të madh për futbollistin kosovar, ndërsa kontaktet mes palëve tashmë kanë filluar.
Klubi italian e konsideron Korenicën një afrim me peshë për fazën sulmuese të ekipit.
Sidoqoftë, rruga drejt këtij transferimi nuk pritet të jetë e thjeshtë, pasi konkurrenca për të është e konsiderueshme.
Për 28-vjeçarin interes të fortë kanë treguar edhe dy emra të mëdhenj të futbollit rumun, FCSB dhe Rapid Bukureshti, që po e ndjekin nga afër zhvillimin e situatës.
Ndërkohë, lojtari nga Rahoveci po tërheq vëmendje edhe nga klube të kampionateve aziatike, por synimi i tij kryesor mbetet Europa, ndërsa Serie A shihet si opsioni më i mundshëm.
Në sezonin e kaluar me Clujin, Korenica pati një paraqitje shumë të mirë, duke u aktivizuar në 50 ndeshje në të gjitha garat, me bilanc prej 12 golash dhe 9 asistimesh, teksa ishte një nga futbollistët kyç të skuadrës.
