Organika e plotë në një ekip që pretendon objektiva madhorë në fundin e sezonit është shumë e rëndësishme. Kështu, përveç atyre që konsiderohen si titullarë të padiskutueshëm, gjatë sezonit një rol të madh e luajnë edhe ata lojtarë që vijnë nga stoli e duhet të bëjnë maksimumin për të ndihmuar ekipin kur gjendet në vështirësi.
Së fundmi, Corriere Dello Sport ka përgatitur një listë me 20 klubet e Serisë A, teksa pasqyruar se cili trajner i beson më shumë dhe cili më pak rezervistëve të tij. Kështu, këtë listë e kryeson trajneri i Romës, Jose Mourinho, i cili lojtarëve të pankinës i ka dhuruar vetëm 1382 minuta në 12 javë kampionat. Portugezi shpeshherë ka kritikuar lojtarët e ardhur nga stoli e kjo ka bërë që të mos i besojë në shumë raste.
Pas Romës, vjen ekipi tjetër i qytetit dhe fjala është për Lazio. Trajneri Maurizio Sarri gjithashtu duket shumë i vendosur në 11-tëshen e tij dhe stolit i ka dhuruar vetëm 2020 minuta. Ndërkaq, në vendin e tretë të kësaj liste është Napoli. Luciano Spalleti i ka besuar stolit 2144 minuta ndërsa në këtë statistikë mund të justifikohet me faktin se pavarësisht gjithçkaje, rezultatet i ka arritur dhe është në vendin e parë të kampionatit.
Ndërkaq, ekipi që e ka përdorur më së shumti pankinën është Venezia me lojtarët e stolit që kanë marrë një minutazh prej 4391 minuta, ndërsa pas tyre vjen Milan me lojtarët e stolit që kanë luajtur 3947 minuta, kjo si pasojë edhe shumë dëmtimeve që kanë pasur kuqezinjtë.