Edvin Kuç është kthyer zyrtarisht te Ballkani, duke u rikthyer edhe një herë në Suharekë.
Ish-mesfushori dhe njëherësh ish-kapiteni i “Xhebrailave” është bashkuar sërish me ekipin nga Thëranda, me synimin për ta fituar përsëri titullin me klubin.
Të lidhura
None found
Në komunikatën zyrtare, Ballkani njoftoi rikthimin e Edvin Kuçit, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme në historinë e klubit në vitet e fundit.
Sipas njoftimit, mesfushori rikthehet në ambientin ku ka lënë gjurmë të mëdha, pasi ishte kapiten dhe lider i skuadrës gjatë periudhës më të suksesshme të klubit. Me të në përbërje, Ballkani bëri histori në futbollin kosovar, duke dominuar dhe duke u shpallur kampion në tre sezone radhazi, krahas sukseseve edhe në Kupë dhe Superkupë.
Në komunikatë thuhet gjithashtu se Kuç ka qenë një prej shtyllave kryesore të ekipit edhe gjatë paraqitjeve në skenën evropiane, ku Ballkani u paraqit me dinjitet në Conference League dhe fitoi respekt në arenën ndërkombëtare.
Rikthimi i tij vlerësohet si një përforcim i rëndësishëm për mesfushën, por edhe si kthimi i një figure që njeh mirë klubin, dhomën e zhveshjes dhe mentalitetin fitues të skuadrës.
“Ballkani rikthen jo vetëm një lojtar, por një kapiten që ka qenë simbol i suksesit të klubit në vitet e arta të fundit”, thuhet në komunikatë.
