Drita triumfon ndaj Llapit në transfertë pas një ndeshjeje me tri gola

Drita fitoi 2-1 në transfertë kundër Llapit, në takimin e vlefshëm për javën e dhjetë të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Të lidhura

None found

Suksesi ishte i dyti radhazi në kampionat për skuadrën e Ardian Nuhiut. Pas fitores ndaj Ballkanit para disa ditësh, gjilanasit mposhtën edhe ekipin e Tahir Batatinës, duke e zhytur më tej Llapin në krizë.

45 minutat e para u zhvilluan në ekuilibër, me të dyja skuadrat që patën disa mundësi shënimi. Megjithatë, asnjëra nuk arriti ta gjente rrjetën dhe pjesa e parë u mbyll 0-0.

Pas pushimit, loja u bë më e hapur dhe rastet u shtuan, ndërsa u shënuan edhe tri gola. Drita kaloi në epërsi që në minutën e parë të pjesës së dytë, kur Vesel Limaj realizoi me një goditje të bukur nga distanca.

Në minutën e 50-të, Liridon Balaj shfrytëzoi një gabim të Benjamin Eminit për të dyfishuar epërsinë e mysafirëve.

Llapi u rikthye në lojë në minutën e 77-të. Arbnor Aliu shënoi një gol spektakolar nga larg, duke e ngushtuar rezultatin në 1-2. Pavarësisht rasteve të tjera, rezultati nuk ndryshoi dhe Drita siguroi fitoren.

Me tri pikët, Drita ngjitet në vendin e tretë me 17 pikë, ndërsa Llapi mbetet i nënti, me vetëm katër pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, gjilanasit do të luajnë në udhëtim ndaj Prishtinës, kurse llapjanët do të përballen jashtë fushe me Gjilanin.


Shtuar më 17.10.2026 15:57