Dortmundi tenton të pamundurën, rinovimin me Haaland

Erling Haland pritet që të qëndrojë në Dormtund së paku dhe për një sezon tjetër. 21-vjeçari është në qendër të vëmendjes për një lëvizje të mundshme në merkaton e vitit të ardhshëm, referuar dhe një klauzole që e lejon sulmuesin të largohet për një shifër prej 75 milionë euro, megjithatë lëvizjet e fundit të Dortmund mund ta bindin sulmuesin që të qëndrojë në Signal Iduna Park.

Me rendimentin e treguar te verdhezinjtë, shumë skuadra në Europë kanë nisur interesimin konkret, megjithatë e ardhmja e Haaland mund të marrë një tjetër drejtim, pasi Dortmund është gati që t’i rinovojë kontratën futbollistit me kushte të përmirësuara. Fituesit e Kupës së  Gjermanisë janë gati që ti ofrojnë 15 milionë euro në sezon 21-vjeçarit, gati 2-fishin e pagës aktuale.

Për Haaland interesim konkret ka dhe Manchester City dhe Liverpool që e shohin shtatlartin si një futbollist që do i ndihmonte në luftën për titull në Premier League. PSG po ashtu e sheh norvegjezin si një opsion për të pasuar Kylian Mbappe i cili sezonin e ardhshëm do të largohet nga Parisi.

Këtë edicion Haaland ka shënuar 7 gola në 5 ndeshjet që është aktivizuar në kampionat, ndërsa ka munguar në ndeshjet e fundit për shkak të një shqetësimi fizik. Haland konsiderohet si një prej talenteve më të medhenj të futbollit dhe Dortmund do të bëjë çmos për të mos humbur shërbimet e 21-vjeçarit së paku dhe për një edicion tjetër.


Shtuar 6.10.2021 19:25