Dortmundi nuk tundohet nga ofertat “faraonike” për Haaland, të vendosur për ta mbajtur në skuadër

E ardhmja e Erling Haaland duket se është përsëri në Dortmund. Sulmuesi i mirënjohur norvegjez realizoi 8 gola në pesë javët e fundit të sezonit në Gjermani, duke përmbysur të gjithë planet që ishin hartuar në lidhje me të. Falë 6 golave të shënuar në Bundesliga ndaj rivalëve si Wolfsburg, Leipzig apo dhe Bayer Leverkusen, tre kundërshtarë të fortë që do të përfaqësojnë vendin teuton në sezonin e ardhshëm në Kupat e Evropës si dhe 2-golëshit të realizuar në finalen e Kupës së Gjermanisë, në mesin e këtij muaji, në Olympiastadion të Berlinit pikërisht ndaj “demave të kuq” të RasenBallsport Leipzig bomberi i pamëshirshëm nordik ka shtrënguar drejtuesit e klubit të famshëm nga Westfalia për të ndryshuar planet, deri në atë pikë sa për të hequr dorë nga ofertat tepër joshëse që pritet të vijnë në adresën e tyre, gjatë verës së ardhshme.

Falë golave të tij 20-vjecari norvegjez, që ka lindur në Qytetin e Leeds-it, kur babai i tij Alf – Inge Haaland luante për “whites” në Jorkshirin Perëndimor, ia doli mbanë për të kualifikuar në mënyrë spektakolare “verdhezinjtë” për në Zonën Champions, pa harruar gjithashtu edhe kontributin e tij në finalen e edicionit të 78 të DFB Pokal ndaj ekipit të drejtuar nga trajneri Julian Nagelsmann. Kështu sulmuesi i ri nordik shmangu telashet financiare për krerët te klubit nga Ruhri, duke u shndërruar në mënyrë të kuptueshme në një lojtar të domosdoshëm për Dortmundin. Nëse klubi do të dështonte në misionin Champions, atëherë me shumë gjasa drejtuesit e Borusias do të shtrëngoheshin për të sakrifikuar, duke pranuar ofertat marramendëse në adresë të tij, për të mbushur boshllëkun që do të krijohej vetvetiu në bilancin e përgjitshëm financiar.

Më datën 3 prill skuadra e drejtuar nga gjermano – kroati Edin Terzic u mund brenda në Signal Iduna Park nga Eintrachti me shifrat 2-1, duke rrëshqitur në pozicionin e shtatë në tabelën e renditjes, plot 7 pikë larg vendit të katërt, që mbahej pikërisht nga “shqiponjat” e Frankfurtit. Shtatë javë para fundit gjithçka pra u ndërlikua dhe të gjithë menduan se objektivi Champions për “verdhezinjtë” ngjasonte vërtet shumë me një mision të pamundur. Dortmundi regjistroi 7 fitore në 7 sfidat e fundit në kampionat, duke e mbyllur këtë edicion të Bundesliga-s në vendin e tretë, madje me vetëm një pikë më pak se sa Leipzigu, që dy muaj më parë dukej sikur ishte vite dritë larg. Me golat e tij duket se Erling Haaland nuk ndryshoi vetëm fatin e klubit por gjithashtu edhe të ardhmen e tij.

Pa Zonën Champions drejtuesit e Dortmundit do të përballeshin në mënyrë të pashmangshme me humbje të rënda financiare, në aspektin ekoniomik. Klubi nga Westfalia ka humbur mesatarisht 4 milionë euro, vetëm nga ndeshjet e luajtura me dyer të mbyllura në shtëpi. Këtë sezon verdhezinjtë kanë zhvilluar 24 takime në total në Westfalen pa praninë e spektatorëve, për një dëm ekonomik që kap shifrën e 100 milionë eurove. Në këtë mënyrë kualifikimi për në Champions League për në sezonin tjetër ishte vërtet shumë i rëndësishëm për krerët e klubit, që i kanë premtuar 21-vjecarit anglez Jadon Sancho se do ta lënë të lirë, në rast se paraqitet për të një ofertë që luhatet mes 70-80 milionë eurove, por pa mbylljen e sezonit në katër vendet e para është e qartë që edhe e ardhmja e sulmuesit të tyre Erling Haaland do të ishte në dyshim, sidomos pas mesazheve të qarta që kanë lëshuar në distancë drejtuesit e Realit dhe Barcelonës.

Në këtë mënyrë Sancho mund të largohet por Haaland jo dhe duket se kjo është edhe zgjedhja e vetë sulmuesit të ri të përfaqësueses norvegjeze, që është i kënaqur me progresin e bërë të verdhezinjtë dhe këtë etapë normale të karrierës, përgjatë procesit konstant të rritjes dhe përmirësimit. Në një intervistë të fundit Erling Haaland ka deklaruar se ka një kontratë që e lidh atë me Dortmundin për disa vjet, marrëveshje të cilën dëshiron që ta respektojë. Vlen të theksohet gjithashtu fakti që 20-vjecari e mbylli sezonin në Bundesligë në vendin e tretë në listën e golashënuesve me 27 gola dhe 6 asist, vetëm një gol poshtë sulmuesit portugez të Eintracht-it Andre Silva dhe me 14 gola më pak se sa polaku Robert Lewandowski, që ia doli mbanë për të thyer pikërisht në sekondat e fundit rekordin e famshëm të kampionatit gjerman, regjistruar gjysmë shekulli më parë nga ish-sulmuesi legjendar i Bajernit dhe i “mannschaft”-it Gerd Muller.


Shtuar 29.05.2021 15:50