Barcelona vazhdon ta mbajë në vëzhgim sulmuesin e Milanit, Rafael Leao, por klubi katalunas do të lëvizte konkretisht për të vetëm nëse përmbushet një kusht i rëndësishëm në aspektin financiar.
Të lidhura
None found
Siç raporton SPORT, kampioni i La Ligas do ta merrte në konsideratë afrimin e reprezentuesit portugez vetëm nëse Milani pranon një huazim pa obligim të detyrueshëm për blerjen përfundimtare të kartonit.
Ideja e Barcelonës është të aplikojë të njëjtin model që përdori sezonin e kaluar me Marcus Rashfordin, duke e përforcuar ekipin pa hyrë menjëherë në një angazhim të madh ekonomik.
Nga ana tjetër, Milani është më i prirur për një formulë huazimi me obligim blerjeje në fund të sezonit, një variant që Barcelona nuk dëshiron ta pranojë.
Sipas raportit, prioriteti kryesor i Barcelonës në këtë afat kalimtar mbetet afrimi i një qendërsulmuesi, çka bën që Leao të konsiderohet si një objektiv dytësor.
Klubi katalunas nuk dëshiron të marrë mbi vete një pagesë të lartë në të ardhmen, sidomos pasi vendosi të mos paguante rreth 30 milionë euro për ta kthyer në të përhershëm transferimin e Marcus Rashfordit.
Leao është përmendur si një prej lojtarëve që mund të largohet nga Milani gjatë kësaj vere, por kujdesi i Barcelonës në planin financiar ka bërë që negociatat të mos ecin përpara.
Në të njëjtën kohë, ardhja e Anthony Gordon e ka zvogëluar nevojën për një tjetër sulmues krahu, ndërsa objektivi kryesor i Barcelonës për repartin ofensiv vazhdon të jetë Julian Alvarez./
