Arda Güler zbulon pseudonimin e tij tek Real Madridi: Jam i befasuar kur Modric më thërret kështu

Vitin e kaluar, Real Madridi transferoi Arda Gulerin nga ekipi i Fenerbahces për shumën e 20 milionë eurove. Talentit turk aventura me madrilenët nuk i eci aq mirë në fillim, pasi lëndimet ia pamundësuan që të dëshmojë kualitetin.

Sidoqoftë, Carlo Ancelotti tashmë e ka bërë të ditur se klubi nuk e ka në plan që ta huazoj sensacionin turk sezonin e ardhshëm, dhe këtë Guler ia shpërbleu me golin e vetëm në fitoren e Real Madridit me rezultat 1-0 ndaj Real Sociedadit.

Që prej transferimit në Spanjë, mediat e vendit e kanë cilësuar turkun si pasardhësin afatgjatë të Luka Modric, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit dhe nuk është e sigurt që do ta vazhdojë atë.

Për këtë arsye, marrëdhënia e Gulerit dhe Modricit ka qenë mjaft e mirë që nga dita e parë. Ata lavdërojnë njëri-tjetrin në rrjetet sociale, ndërsa Modric e konsideron Gulerin si ‘vëllaun e tij të vogël’.

Guler ishte i ftuar në emisionin KAFA Sports, ku zbuloi se bashkëlojtarët e tij në dhomën e zhveshjes e quajnë atë ‘Abi’, që në gjuhën shqipe do të thotë vëlla.

“Të gjithë më thërrasin Abi, por nuk e dinë se çfarë do të thotë. Jam i habitur kur Modric më thërret kështu”, ka thënë Guler.

Guler ka luajtur në total 51 ndeshje për Fenerbahcen duke shënuar nëntë gola dhe duke dhurar 12 asistime.

Me fanellën e Realit ka luajtur tetë ndeshje gjithsej dhe ka gjetur rrugën e golit dy herë. Ai ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2029 dhe Transfermarkt e vlerëson kartonin e tij rreth 12 milionë euro. /Telegrafi/


Shtuar 29.04.2024 21:01