Ander Herrera, ish-mesfushori i Manchester United dhe Paris Saint-Germain, është shumë afër një rikthimi me ngarkesë emocionale te Real Zaragoza, skuadra e fëmijërisë së tij.
Pas shkëputjes së fundit nga Boca Juniors, veterani spanjoll po e konsideron seriozisht kalimin te ekipi që militon në kategorinë e dytë të futbollit në Spanjë, duke iu afruar kështu një mbylljeje simbolike të karrierës aty ku nisi gjithçka.
Të lidhura
None found
Sipas Sport, Herrera ndodhet në fazën e fundit të largimit nga Boca Juniors, pasi të premten e kaluar i dha fund marrëveshjes me klubin e madh argjentinas.
36-vjeçari ndodhet aktualisht me pushime familjare në Patagoni, ndërsa shumë shpejt pritet të kthehet në Buenos Aires për t’u përshëndetur me shokët e skuadrës dhe stafin e klubit.
Ky zhvillim shihet si një hap kyç drejt ribashkimit të shumëpritur me Real Zaragozan, klubin ku ai nisi rrugëtimin e tij në futbollin profesionist.
Raporti nënvizon se drejtuesit e Zaragozës janë në pritje vetëm të dritës jeshile përfundimtare nga lojtari.
Në ndryshim nga përpjekja e vitit 2024, këtë herë Herrera e ndien veten dukshëm më të vlerësuar nga klubi spanjoll, çka ka shtuar ndjeshëm gjasat për rikthimin e tij në “La Romareda”.
Megjithatë, periudha e tij në Argjentinë nuk rezultoi ashtu siç pritej. Që prej transferimit te Boca Juniors në janar të vitit 2025, Herrera është shoqëruar vazhdimisht nga probleme fizike.
Për shkak të gjashtë lëndimeve të ndryshme muskulore, ai mungoi në plot 32 ndeshje, ndërsa në sezonin aktual bëri vetëm 12 paraqitje dhe realizoi një gol.
