Një ngjarje e rëndë ka tronditur projektin e rindërtimit të stadiumit “Spotify Camp Nou”, ku një punëtor 54-vjeçar ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti në vendin e punës. Ky është incidenti i parë me pasojë vdekjen që nga fillimi i punimeve në qershor të vitit 2023.
Të lidhura
None found
Burime nga policia katalanase Mossos d’Esquadra, të cituara nga Mundo Deportivo, bëjnë të ditur se tragjedia ndodhi ditën e premte, ndërsa viktima po realizonte punë lyerjeje duke qëndruar mbi një platformë të ngritur.
Ekipet e urgjencës dhe forcat e rendit mbërritën me shpejtësi në vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht nuk ishte më e mundur t’i shpëtonin jetën punëtorit.
Autoritetet katalanase kanë filluar menjëherë hetimet për të sqaruar shkaqet dhe dinamikën e aksidentit. Sipas procedurave të rregullta, për rastin janë vënë në dijeni edhe organet gjyqësore dhe inspektoriati i punës.
Projekti i transformimit të “Camp Nou” ka angazhuar mijëra punonjës që prej nisjes së tij në vitin 2023 dhe renditet ndër iniciativat më ambicioze të rinovimit të stadiumeve në kontinentin evropian.
Kjo shënon herën e parë që një aksident me pasoja fatale regjistrohet gjatë procesit të rindërtimit të impiantit historik të klubit katalanas.
