Ahmet Haliti kujton trofetë me Prishtinën dhe aventurën evropiane të kryeqytetasve

Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve” është i ftuar ish-futbollisti i njohur kosovar, Ahmet Haliti. Ai rrëfen momente nga karriera e tij si lojtar dhe flet për angazhimin e ri në futboll, këtë herë si ndihmës trajner te Ballkani. Episodi është realizuar me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.

Gjatë bisedës, Haliti u ndal edhe te periudha e kaluar te Prishtina, me të cilën ka fituar trofe dhe ka marrë pjesë në garat evropiane.

Të lidhura

None found

Sipas tij, te Prishtina objektivi mbetet gjithmonë fitimi i titujve, çka e bën presionin të madh mbi ekipin. Ai theksoi se kërkesa për trofe nuk ndryshon as në rastin kur skuadra e parë do të përbëhej vetëm nga juniorë.

Haliti tha se presionin e ka mirëpritur gjatë gjithë karrierës, pasi ai e ka ndihmuar të japë më të mirën dhe të jetë edhe më i përqendruar.

Ish-futbollisti kosovar vlerësoi gjithashtu përvojën në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se në ato ndeshje nuk përfaqësohet vetëm klubi, por edhe shteti.

Ai e cilësoi si shumë të mirë pjesëmarrjen evropiane me Prishtinën, ndërsa kujtoi se skuadra ishte eliminuar nga Fola Esch e Luksemburgut pas ekzekutimit të penalltive, nëse nuk gabon.

Episodi i plotë me Ahmet Halitin mund të ndiqet në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.//


Shtuar më 31.10.2026 21:36