‘Vula’ e PD-së, Gjykata e Apelit rinis gjykimin më 11 qershor

Gjykata e Apelit në Tiranë ka caktuar 11 qershorin (ora 10:00) si datën kur do të rinisë sërish gjykimin e vulës dhe statutit të Partisë Demokratike që është kthyer në fushë beteje mes grupit të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

Realtore është gjyqtarja Alma Ahmeti me pjesëtare të trupës gjykuese Iliba Bezati dhe Elona Toro që do të rishqyrtojnë në vijim, betejën e nisur në 2021-shin.

Çështja për vulën e Partisë Demokratike u rikthye në Apel pas vendimit të Gjykatës së Lartë me 27 dhjetor 2023.

Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.


Shtuar 17.05.2024 21:05