Është arrestuar ditën e sotme biznesmeni i shumëkërkuar i SPAK Ergys Agasi. Burime për mediat, paraprakisht bëjnë me dije se i shumëkërkuari i SPAK është vënë në pranga në Elbasan. Agasi ishte shpallur në kërkim prej dhjetorit 2025, kur SPAK lëshoi urdhër-arrest ndaj tij në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t. Mirëpo sot, pas 9 muajsh në kërkim ka marrë fund arratia e tij.
Deri më tani nuk ka akoma detaje rreth momentit të arrestimit të tij, por pritet që autoritet shqiptare të dalin me një reagim zyrtar në vijim.
Të lidhura
None found
Arrestimi i bujshëm i Agasit vjen vetëm një ditë pasi mediat e huaja raportuan se gjykata franceze ka rrëzuar kërkesën për të fituar lirinë të biznesmenit Ermal Beqiri, i cili ndodhet prapa hekurave në Francë, ndërsa pritet që të ekstradohet drejt Shqipërisë e të përballet me drejtësinë shqiptare në lidhje me skandalin e AKSHI-t.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Agasin, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj, për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për manipulimin e tenderave të AKSHI-t, ndërsa hetimet përfshijnë edhe pretendime për përdorim të dhunës dhe pengmarrje, të biznesmenit Gerond Meçe.
Ergys Agasi është një nga figurat që prej kohësh ka gjetur “strehë” në politikë, veçanërisht te Partia Socialiste, duke mbajtur pozita të rëndësishme.
Një prej pozitat më të rëndësishme që Agasi ka mbajtur është ajo si kreu i Inspektoriatit të Mjedisit, një detyrë që i dha mundësinë të jetë afër qeverisë dhe të ndikojë në shumë aspekte të administratës publike. Sukseset e tij në karrierën politike janë gjithashtu të lidhura ngushtë me faktin se ai është djali i Bardhyl Agasit, një ish-deputeti socialist, gjë që i hapi shumë dyer në kupolën e Partisë Socialiste veçanërisht në Durrës.
Përveç angazhimeve të tij me Partinë Socialiste, Agasi ka pasur një periudhë bashkëpunimi me LSI-në e Ilir Metës, por në vitet e fundit ai ka bërë një kalim të plotë në “shtëpinë” e socialistëve. Kjo ka sjellë edhe përfshirjen e tij në disa çështje të debatueshme, ku lidhjet e tij me pushtetin kanë ngritur dyshime për ndikime të paligjshme dhe përfshirje në skandale.
Operacioni i SPAK zbulon SKANDALIN e madh të Policisë së Shtetit! Agasi dhe Beqiri u ndihmuan për të marrë peng biznesmenin, Gerond Meçe u tërhoq befas nga tenderat e AKSHI-t
Emri i tij u lakua gjerësisht në qershor të një viti më parë nga vetë ish-numri dy i qeverisë Rama, Arben Ahmetaj. Në një dokumentar për Shqipërinë, “Rai 3” postoi dhe një bisedë me Ahmetajn, ku përpos akuzave për “ish-miqtë e tij”, ai përmendi dhe Agasin të cilin e cilësoi si njeriun që mbante lidhjet me “bosët e mafias”.
Rai 3 thoshte se Ergys Agasi, një biznesmen nga Durrësi, djali i një ish-deputeti socialist, përveç të tjerash pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini.
Sakaq kujtojmë se në verën e nxehtë të këtij viti kompania “Albania Tabak Fabrika e Re e Cigareve” e kontrolluar nga kompania mëmë “EA TOBACCO” në pronësi të biznesmenit Ergys Agasi, u sekuestrua me vendim të Gjykatës së Posaçme. Vendimi erdhi pasi Agasi u paraqit në SPAK.=
Gjykata e Posaçme firmosi sekuestrimin e kuotave të kompanisë “Albania Tabak Fabrika e Re e Cigareve” në Librazhd, si dhe 10 pasuri të lidhura me të, më konkretisht:
1. Pasuria me nr. 1/543 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 126
2. Pasuria me nr. 1/542 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 125
3. Pasuria me nr. 1/541 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 124
4. Pasuria me nr. 1/540 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 123
5. Pasuria me nr. 1/536 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 118
6. Pasuria me nr. 1/434 ndodhur në ZK 2446, Vol 16 Fq 77
7. Pasuria me nr. 1/543 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 126
8. Pasuria me nr. 1/538 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 120
9. Pasuria me nr. 1/38 ndodhur në ZK 2446, Vol 06, Fq 202
10. Apartament të ndodhur në Katin 32 të Godinës me nr. T2.02.L me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi 134.56 m2 Tiranë.
