Protesta për Zvërnecin është e drejtë. Madje është ndër ato momente të rralla kur qytetari del përtej interesit të vet të ngushtë dhe kupton se natyra nuk është pronë private e pushtetit, e oligarkëve apo e firmave që e shohin Shqipërinë si parcelë ndërtimi. Por pyetja që duhet bërë sot është edhe më e fortë: po protestoni për Zvërnecin, po Liqenin e Thatë e keni parë?
Sepse drama nuk është vetëm në bregdet. Nuk është vetëm te flamingot, laguna, resortet luksoze apo rrethimet me hekura. Drama është edhe në Tiranë, në zemër të një zone që dikur shitej si qetësi, gjelbërim dhe ajër i pastër, ndërsa sot po kthehet në një kantier të pafund. Liqeni i Thatë nuk po thahet nga mungesa e ujit, por nga teprica e betonit. Po i merret fryma çdo ditë nga kamionët, pluhuri, zhurma, makineritë e rënda dhe lejet që zbresin nga lart si urdhra për të shkatërruar edhe atë pak natyrë që i ka mbetur kryeqytetit.
Të lidhura
None found
Banorët nuk po ankohen për një pallat më shumë apo më pak. Ata po ankohen për një mënyrë qeverisjeje. Po ankohen se rrugët bllokohen nga mjetet e tonazhit të rëndë, se fëmijët nuk dalin dot jashtë si më parë, se dritaret nuk hapen dot nga pluhuri, se qetësia për të cilën kanë investuar është zëvendësuar nga zhurma e vinçave. Pra, problemi nuk është thjesht urbanistik. Është shoqëror, ekonomik, mjedisor dhe politik.
Në kodrat me ullishte pranë Liqenit të Thatë, sic meson Albeu.com, ka nisur gdhendja e kodrës për projektin “Centaurea” të kompanisë “Bega-07” Sh.p.k në pronësi të biznesmenit Arben Muçobega.
Bëhet fjalë për një projekt të madh ndërtimi me 15 godina deri në 9 kate, mbi një sipërfaqe rreth 31 mijë metra katrorë truall dhe me afro 94 mijë metra katrorë ndërtim mbi dhe nën tokë. Ky nuk është “zhvillim i integruar me natyrën”, siç e paketojnë zakonisht broshurat e marketingut. Kjo është formula klasike e betonizimit shqiptar: fillimisht e quan zonën të gjelbër, pastaj e reklamon si luks, në fund ia dorëzon betonit.
Këtu qëndron hipokrizia më e madhe. Për çdo projekt të tillë gjendet gjithmonë një fjalor i bukur: “harmoni me natyrën”, “stil jetese i gjelbër”, “peizazh i ri urban”, “standard europian”. Por kur hiqen ullinjtë, kur rrafshohen kodrat, kur shkatërrohet peizazhi dhe kur banorët jetojnë mes pluhurit dhe pa vende parkimi, nuk ka më gjuhë marketingu që ta mbulojë të vërtetën. E vërteta është se Tirana po humbet mushkëritë e saj, lagje pas lagjeje, kodër pas kodre, liqen pas liqeni.
Zvërneci na tronditi sepse pamë dhunën në mënyrë brutale: një qytetar që tërhiqej zvarrë, roje private, gardhe, spray, shtet që shfaqej i pafuqishëm përballë privatit. Por te Liqeni i Thatë dhuna është më e heshtur. Nuk vjen me grushte, por me leje. Nuk tërheq njerëz zvarrë para kamerave, por ua tërheq jetën zvarrë çdo mëngjes mes trafikut, pluhurit dhe zhurmës. Nuk përdor spray me piper, por përdor betonin si armë kundër qytetit.
Dhe pikërisht kjo e bën më të rrezikshme. Sepse kur dhuna është e dukshme, qytetari reagon. Kur dhuna vjen me dokumente, me vendime, me firma, me projekte 3D dhe me reklama luksi, shoqëria shpesh hesht. Kjo heshtje është problemi ynë më i madh. Ne revoltohemi kur shohim një trup të tërhiqet zvarrë, por nuk reagojmë kur një lagje e tërë tërhiqet zvarrë drejt betonit.
Liqeni i Thatë është pasqyra e Tiranës që po ndërtohet pa ide, pa frymë, pa infrastrukturë dhe pa mëshirë për qytetarin. Ndërtohen pallate, por jo shkolla. Shiten apartamente luksoze, por nuk garantohet cilësi jete. Hapet kantieri, por nuk pyetet komuniteti. Rritet çmimi i pronës, por bie vlera e jetesës. Në fund, qytetari mbetet i rrethuar nga mure, ndërsa pushteti mburret me zhvillim.
Prandaj shqiptarët kanë më shumë arsye për të protestuar pasi nuk është vetëm Zvërneci. I njëjti mentalitet që rrethon Zvërnecin me gardhe, rrafshon kodrat me ullishte te Liqeni i Thatë. I njëjti pushtet që flet për turizëm elitar në bregdet, flet për rezidenca të gjelbra mbi beton në Tiranë. I njëjti sistem që sheh natyrën si mall, sheh qytetarin si pengesë.
Fatkqesësisht, heshtja disavjecare për ndërtimet pa kriter në Tiranë, na solli skandalin e Zvërnecit. Dhe sot, po protestoni për Zvërnecin, por kthejeni kokën edhe nga Liqeni i Thatë. Sepse aty, në heshtje, po ndodh e njëjta histori: Shqipëria po betonohet me leje, me reklamë dhe me buzëqeshje institucionale. Dhe kur një qytet humbet gjelbërimin, nuk humbet vetëm natyrën. Humbet arsyen, frymën dhe të ardhmen. /albeu.com/
