Kombëtarja shqiptare e 19 vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Armando Cungu ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e parë miqësore të planifikuar ndaj përfaqësueses së Izraelit. Sfida që nisi në ora 16:30 dhe që u zhvillua në stadiumin “Selman Stërmasi” përfundoi në barazimin 1-1. Cungu hodhi në fushë këtë formacion: Ëeiper, Dervishi, Preka, Cehu, Bytyci, Nerguti, Zenelaj, Qefalija, Asallari, Shpendi, Toci.
Me nisjen e pjesës së dytë, Cungu vendos të hedhë në fushë Bibon dhe Nezirin, të cilët zëvendësojnë Asallarin dhe Prekën. 45 minutat e dyta të sfidës flasin më shumë për ekipin e drejtuar nga tekniku kuqezi. Kuqezinjtë krijojnë më shumë, teksa një rast i artë vjen nga këmbët e Endri Zenelaj, i cili godet fort nga jashtë zone, por topi godet shtyllën, duke i mohuar kështu golin.
Kuqezinjtë e Cungut zhvilluan një ndeshje të bukur, me raste të krijuara, por për fat të keq arritën të finalizonin në portën kundërshtare vetëm një herë. Ishin izraelitët ata të cilët kaluan në avantazh të parët, duke ndëshkuar tanët në minutën e 26-të të takimit. Cungu bën dy zëvendësime në minutën e 41-të, me Cipin dhe Papaj që futen në fushë dhe Cehu e Qefalija që dalin nga loja. Asgjë nuk ndryshon në këto minuta të fundit të fraksionit të parë të lojës, që mbyllet në epërsinë e miqve, me shifrat 1-0.
Barazimi do të vinte vetëm në minutën e 88-të të takimit, me Cristian Shpendin, sulmuesin shqiptar i cili aktivizohet në radhët e Cesenës. Ndeshja mbyllet me rezultatin 1-1, një sfidë ku Armando Cungu pati mundësinë të shikonte nga afër edhe elementët e rinj të cilët aktivizohen në kampionatet jashtë vendit, për të krijuar një ide më të qartë mbi lojtarët që do të përbëjnë grupin përfundimtar që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian, ku Kombëtarja jonë është shortuar në grupin 7 së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut./albeu.com