Greqia ka refuzuar të nënshkruajë një letër të 27 vendeve anëtare drejtuar Komisionit Europian, që kërkon hapjen e pesë kapitujve të parë në këtë proces për Shqipërinë. Vendimi erdhi pas “kërcënimeve” të shteti helen lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri.
Kryeministri Rama tha se nuk do të bëjë koment për këtë çështje në këtë moment, por nëse ndodh që Greqia të bllokojë procesin atëherë do të flasë. Por sipas tij, kjo nuk është një çështje e BE.
Rama: Presioni grek, e kam thënë opinionin tim, nuk dëshiroj të ushqej një debat ku qeveria nuk është palë. Nuk kemi asnjë lidhje me këtë histori. Bëhet fjalë për një individ që është arrestuar në flagrancë për blerje votash. Është në një process gjyqësor në GJKKO, është në pamundësi të bërjes së betimit, sepse ligji ynë është shumë i qartë. Qeveria nuk ka këtu asnjë rol për të luajtur. Mbase në të shkuarën qeveria ishte të mësuar të luajë t’i thoshte drejtësisë se cfarë duhet të bënte.
Nuk mund të vëmë drejtësinë në dispozicion të kërkesave të të huajve. Nuk ndërhyjmë për asnjë arsye në punën e drejtësisë e lë më të SPAK dhe GJKKO. Janë produkte të një përpjekjeje që e kemi nisur ne, e kemi realizuar ne, ndërsa reformën në drejtësi në realitet duhet ta zbatojnë ata. Ne thjesht duhet t’I mbështesim duke mos u përzier në punën e tyre.
A mundet Greqia të bllokojë? Po edhe mundet, po pastaj? Nëse kjo ndodh, kur të ndodhë do dëgjoni komentin tim. S’kam pse të bëj një komet për diçka që nuk ka ndodhur. Shqipëria sot njihet si një vend krejt ndryshe nga ai që ishte, qoftë nga opinioni ndërkombëtar i përgjithshëm, qoftë nga opinioni i institucioneve ndërkombëtare, të bllokohet për një çështje që nuk është fare çështje e BE-së, e kornizës negociuese të Shqipërisë me BE. Është një çështje që është minore në raport me çështjet e rëndësishme të interesit të përbashkët strategjik. Por tani…jetojmë në një botë ku secili ka të vetat./albeu.com