Olta Gixhari rrëfehet si asnjëherë më parë: Nga takimi i parë me partnerin te planet për dasëm

Në muajin gusht të vitit që lamë pas, aktorja e njohur Olta Gixhari solli në jetë fëmijën e saj të parë. Olta lindi një djalë, të cilin e pagëzoi me emrin Amar.

Që para lindjes së vogëlushit, aktorja u zhvendos në Spanjë tek partneri i saj, ku kaluan karantinën së bashku e më vonë u bënë prindër për herë të parë.

Ajo na ka treguar gjithmonë aq sa ka dashur për jetën personale: Ka një partner, ka bërë një djalë të bukur dhe është super e lumtur.

Por, asnjëherë s’kemi mësuar cili është partneri i saj dhe s’kemi parë portretin e të voglit Amar, që është një ndër bebushët më të komentuar në Instagram.

Megjithëse s’na e ka prezantuar asnjëherë partnerin, Olta ka ndarë tek tuk ndonjë foto me të (ku sigurisht s’ia kemi dalluar dot portretin).

Së fundmi, ajo është rrëfyer për ‘Revistën Who’ ku ka dhënë shumë detaje nga jeta e saj personale dhe planet e saj për të ardhmen.

Ajo tregoi se i ka idetë shumë të qarta përsa i përket jetës, të cilën e jeton në mënyrën më spontane të mundshme.

Që nga momenti i takimit me partnerin dhe deri tek planet e saj për një rikthim në Shqipëri, Olta u rrëfye dhe zbuloi mjaft të pathëna.

Intervista e plot

Ne duam të dimë gjithçka, se ti ke kohë që nuk ke folur, por le ta marrim me radhë dhe na trego pak si ike ashtu aq papritur? 
Po pse çfarë prisnit ju? Unë rashë në dashuri.

Po pikërisht për dashurinë duam të dimë: si re, me kë re, ku re?
Në Madrid, për Krishtlindje, aty jemi takuar. Por njiheshim, nuk ishte dikush që doli nga hiçi. Diku ishim parë e takuar nëpër Tiranë, por ishte nga ato njohjet e përcipta. Nuk është se e kisha qejf dhe nuk di nëse më kishte, thjesht nuk kam pasur asnjë një mendim për të. Atë ditë që e pashë, fjalia e parë që i kam thënë ka qenë: Sa i bukur qenke bërë ti… dhe ai qeshi.

Domethënë kishe kohë pa e parë?
Shumë vite pa e parë, kisha harruar që ai njeri ekzistonte diku. Takimi ynë ka qenë fare i rastësishëm, si nëpër filma. Madje, miqtë që e dinë historinë tonë kanë filluar të besojnë se gjërat kanë vërtet të shkruara. Pak kohë më pas filluam të flisnim në telefon e më vonë e gjetëm veten duke i shkruar njëri-tjetrit pa pushim.

Kush e kërkonte më shumë tjetrin?
Të dy! Arriti kulmin kur rrinim 20 orë bashkë, në kufje. Secili vazhdonte ndërkohë ditën edhe aktivitetn e tij, por në kufje unë kisha atë e ai mua. Dhe askush nuk e dinte, ne u çmendëm fare. S’e di a e ka bërë njeri këtë…(buzëqesh).

Pra, ti u njohe me këtë djalë, u ritakove rastësisht fare, kuptove që diçka po ndodhte… Po çfarë të bindi ty më vonë që të ikje?
Rashë në dashuri, pra. Rashë shumë keq!

Kur e kuptove që re në dashuri?
Unë nuk kam thënë si të tjerët: “Ky është burri im”, sapo e pashë. Kam thënë “ky do më çmendë, por nuk do rrijë kurrë me mua”. Nuk e di pse më jepte idenë që donte një partnere shumë të qetë, shumë të urtë, të parashikueshme, ngaqë ai vetë është shumë i qetë. Isha e sigurt që me një tip si unë do mërzitet dhe do ikë për dy ditë (qesh). Madje, madje kam qenë me një mikeshën time dhe i thashë asaj: Ky ka shumë mundësi të të pëlqejë ty, jo mua.

I di ai këto punë?
Po, ia kam thënë më vonë.

Kur të propozoi ai të shkoje të jetoje me të?
Ka qenë moment shumë romantik. Sepse ai është detajist dhe e dinte çfarë lidhje të ngushtë kam unë me detin. Ishim në një lokal të vogël, romantik, buzë detit, në një port, në Itali. Atë natë me hënë të plotë më tha: “Ti do vish të jetosh me mua”. Unë e pyeta: “Ku?”. Ai m’u përgjigj: “Kudo!” Dhe unë pranova. Kaq ishte. Vetëm kaq.

Dhe kur u vu propozimi në jetë?
Pas disa vajtje-ardhjesh, shkova dhe nuk u ktheva më. Domethënë u ktheva me fëmijë.

Një fëmijë që e dëshironit?
Po, Amar ka ardhur me plan. Thjesht dua dhe u bë.

Ju jeni të martuar zyrtarisht?
Ne do të celebrohemi në Spanjë, vitin që vjen.

Po dasmën e keni menduar?
Kishim shumë qejf të bënim një dasmë në jug, por pandemia na i prishi planet. Por nuk e kemi fshirë tërësisht si ide, edhe mund të ndodhë.

Por ama po ndodhi dasma në jug, do të thotë që ai do bëhet publik dhe me sa kemi parë ai nuk është se e ka shumë qejf…
Jo, nuk e ka shumë qejf. Nuk e do fare vëmendjen. Por jemi mirë të dy pa vëmendje. Ne jemi natyra shumë spontane, edhe pse unë i bëj gjërat pak dramatike dhe më duket fundi i botës edhe nëse nuk gjejmë tavolinë të lirë në restorant dhe marr si përgjigje refrenin: “Olta, për çdo gjë do na e bësh jetën kaq të vështirë?”.

Si është jeta në Spanjë?
Spanjollët janë njerëz shumë të thjeshtë, aty nuk ka as hirearki… Unë ndryshe e quaj ‘vendi pa moral’. Nuk ka turp, nuk është turp të bësh gjithçka, të gjithë shohin terezinë dhe qetësinë e tyre. Njerëzit atje bëjnë plazh topless. Ka shumë plazhe nudo dhe dhe duket sikur janë të prirur të thyejnë çdo rregull. Por nuk janë racistë, sepse këtë gjë do e vuaja vërtet.

Kur e kuptove ti që Spanja ka këtë energjinë?
Vonë. Pasi u zura mirë e mirë me gjithë të panjohurit (qesh). E kisha shumë problem të mësohesha me një vend ku je një e panjohur, praktikisht si gjithë të tjerët.

Domethënë ti e vuan mungesën e vëmendjes që kishe në Shqipëri?
E vuaj në momentin që nuk jam e përkëdhelur. Nuk e kam tek vëmendja, që të më shohin e të më mbulojnë me fjalë të bukura. S’e kam problemin këtu. Por janë ca detaje të vogla që dikur më lehtësonin ditën.

Pra, të mungon jeta e Shqipërisë?
Më mungojnë njerëzit, asgjë tjetër. As aktivitetet. Asgjë nuk më ngjall zili.

As dëshira për t’u rikthyer në teatër e ekran?
Për momentin jo, sepse jam shumë e fokusuar tek partneri dhe djali im.

Mendon të rikthehesh në Shqipëri?
Që ta sqaroj pak më mirë: jo se unë nuk kam mall të luaj teatër apo nuk kam mall të luaj film, por për momentin, në kohën që po jetojmë, kjo industri ka rënë aq shumë sa nuk kam ambicie që të jem në vend të dikujt këtu. Në momentin që do kem diçka që më pëlqen, një ofertë të mirë, qoftë edhe për një intervistë, thjesht marr valixhen dhe vij. Bota është zvogëluar shumë. Po përditshmërinë time dua ta kaloj atje, sepse ndihem në paqe.

Po mirë, çfarë të lodhi, çfarë të mërziti këtu?
Çdo gjë më mërziti. Që tek parkimi që nuk gjen, tek pallatet gjithandej, tek pluhuri në ballkon, çdo gjë të lodh. Për këtë gjë Europa më pëlqen, ka rregull. E shikoj shumë të pamundur jetesën këtu sidomos më syrin që i shoh gjërat tani. Mungojnë trotuaret ku një nënë të shëtitë e qetë me fëmijën. Që këtu fillon. Unë jam e freskët dhe e ndjej shumë stresin e shqiptarëve. Kisha shkarkuar shumë energji në Spanjë. Kur u riktheva kuptova se sa jetë të stresuar kam bërë.

Çfarë bën ti atje? Se për një njeri që ka pasur një jetë shumë aktive këtu, të shkojë diku dhe të mos bëjë asgjë, duket pak çuditshëm. A po kërkon ti të bësh diçka atje?

Dita ime në Spanjë nuk ka marrë akoma ngjyrë, sepse unë kam jetuar atje në kohën e pandemisë, të shtatzënisë, kur gjëja më e lirë që mund të bëja ishte një shëtitje në supermarket. Së fundmi u hapën restorantet, por i frekuentova shumë pak se kisha frikë mos merrja Covid-in. Por unë mund të them se si do të jetë jeta ime atje. Do jetoj në Valencia, sepse nuk e ndërroj dot me asnjë vend tjetër për të jetuar, plus më ngjan shumë me Tiranën. Nëse Tirana do mundej, bëhet lehtësisht një Valencia. Se ai është qytet i vogël, me shumë parqe. E ardhmja ime do jetë duke rritur djalin, sepse unë i kam marrë maksimumin e mundshëm karrierës sime në Shqipëri dhe kam ikur pa asnjë peng. Unë jam mama shumë e përkushtuar. Dua ta rris djalin siç dua vetë dhe ta ndjek hap pas hapi çdo fazë. Nuk rri dot më shumë se 2 ose 3 orë larg tij. Të rritet edhe pak, pastaj do mendoj për veten. Por dëshira imë është t’i rikthehem biznesit. Më pëlqen vetja në atë rol. Doja edhe të kisha projekte në teatër ose film, por jo të fokusohesha tek to.

Si e përjetove shtatzëninë, ndryshimet e trupit tënd?
Nuk mora shumë kile. Diku tek 16-17, por në dukje isha shumë e hollë dhe barkun nuk e pata shumë të madh. Pata një shtatzëni të mbarë, edhe pse më ra muaji i 8 dhe i 9-të i shtatzënisë në korrik-gusht, periudhë shumë e nxehtë në Spanjë. Por nuk e përjetova keq, sepse kam një partner që më thotë gjithë ditën: Sa e bukur je.

Ke nevojë të ta thonë këtë?
Ma ka thënë aq shumë, sa tani s’ia ndiej më nevojën. Dhe mirë ka bërë që ma ka thënë, se ma ka lehtësuar shumë gjendjen. Unë pata ditë që humba besimin tek vetja, ndihesha keq, por ai më ndihmoi shumë. Mendoj sinqerisht se çdo grua ka nevojë vetëm për partnerin e saj gjatë periudhës së brishtë të shtatzënisë.

Lexove, u përgatite për këtë momentin kur do bëheshe nënë?
Jo. E vetmja gjë që doja ishte të kaloja një shtatzëni të qetë, doja një fëmijë të shëndetshëm dhe doja që të lindja vetë. Fatmirësisht të gjitha ndodhën siç i desha. Për lindjen natyrale më ka ndihmuar ecja që kam bërë. Bëja ngjitje (hiking) deri në muajin e 8 dhe të 9-të, bëja not çdo ditë. Bëja 10 ose 12 mijë hapa çdo ditë. Nuk kam pasur neps.

Të shoqëronte njeri veç bashkëshortit?
Jo, vetëm ai. Kisha nevojë vetëm për atë, asgjë tjetër, asnjë tjetër. Ai la çdo gjë për mua, megjithëse ishte kohë pandemie, por mua më vjen mirë që isha shtatzënë në atë periudhë sepse nuk ndjeja se po humbja gjë.

Si e imagjinoje ti Amarin para se të vinte në jetë?
Nuk e imagjinoja kaq të bukur. Unë po çmendem. Çdo nëne i duket fëmija vet i mirë, por ai është fëmijë shumë i bukur, shumë. Që do dilte bjond, isha e sigurt, jam çuditur që ka sytë e mi. Isha e bindur që do i kishte sytë kafë, si i ati. Kur e shikonte doktoresha në eko muajt e fundit, thoshte: Është komplet si babi i vet. Dhe vërtet, Amar është kopja e tij. Duke u rritur ka marrë edhe hijen time, por edhe ngjyrën e syve të mi, madje më të bukur.

Si u vendos emri? E dimë që ta ka sugjeruar Armina…
Armina më sugjeroi disa emra, më solli katër, madje bisedën me mikeshën time e ruaj akoma, sepse shikoj datën kur është gjetur emri. Jo më kot pyeta Arminën, se ajo më njeh shumë mirë, ajo e di çfarë dua unë. I thashë më sugjero emra dhe ajo më tha: “Mos e diskuto duhet një emër latin”. Dhe ç’është e vërteta nuk isha e fiksuar për t’i vendosur patjetër emër shqiptar. Nuk e kisha problem. Doja thjesht një emër me kuptim, që të kishte lidhje edhe me mua. Më çoi tre emra dhe mua nuk më pëlqyen. Dhe më thotë: “E mirë se do të çoj një emër që e kisha ruajtur për çunin tim, por deri atëherë do gjej tjetër”. Dhe shkruajti vetëm kaq: Amar. Unë ngela. Për momentin më goditi, por pastaj e lashë. Ia them bashkëshortit dhe më la të kuptoja që nuk i pëlqeu si emër. Të nesërmen, ky emër po punonte brenda meje, gjithë mbasditen e përsërita dhe më erdhi shumë bukur. U dashurova me atë emër. Dhe i kërkoj edhe atij, që ta mendonte me qetësi dhe seriozitet. Përsëri nuk i pëlqeu, por po zbutej. Ishte ende muaji i katërt dhe ai thoshte që emrin e çunit do e vendoste vetë. Unë i thoja mirë, por ai nuk ka fare gusto për emra. Lexoja 500 emra në ditë dhe prapë Amarin kisha në kokë. Deri në javën e parë të muajit të 9-të unë nuk e kisha vendosur emrin, por dilja buzë detit per ecje dhe flisja me bebin në bark dhe e thërrisja Amar instiktivisht. Një ditë partneri kërkoi domëthënien e emrit dhe një prej tyre ishte ‘hënë’. Aty thashë vetëm kaq: Ky është emri. I thashë: kam një lidhje të çuditshme me këtë emër dhe më vjen të qaj kur e dëgjoj. Pastaj më del në ëndërr bebi dhe më thotë: Mami mos kërko më, stop! Kur lindi Amari me dy ‘A’ të mëdha në këmbë, unë jam shokuar. Unë jam supersticioze dhe mendoj se gjërat ndodhin për një arsye. Arriti një pikë që ishte partneri ai që vendosi dhe tha: “Boll se u lodhe, djali do quhet Amar”. Por kam pasur edhe emra të tjerë të preferuar, si për shembull: Blu.

Amar është e ende i vogël, por a keni menduar që të ketë edhe një motër ose vëlla?
Patjetër, dua ta bëj me motër. Dua të bëj një Olta (qesh). I thoja partnerit përherë: Do Zoti djali të jetë kopja jote, që pastaj vajza të jetë si unë.

E ushqen me gji?
Po, e kam ushqyer për 6 muaj e gjysmë me gji edhe pse vuajta shumë dhe kam qenë shumë këmbëngulëse në këtë pjesë, sepse është dhurata më e mirë që mund t’i bëj. Aktualisht ka filluar ushqimin dhe deshi vetë ta hiqte, por une po ia mbaj edhe pak e po vazhdoj të insistoj ta zgjasim si periudhë. Jam shumë e lumtur që e kam mbajtur me gji. Megjithëse çdo nënë e bën vetë zgjedhjen për bebin.

Çfarë mendimi ke ti për të ardhmen e tij? I keni thurur që tani ëndrrat se çfarë do bëhet kur të rritet?
Do bëhet futbollist. Kjo është dëshira e babait të vet, që e ka pasur qejf futbollin që i vogël. Dhe nuk do t’i harroj kurrë netët e verës, kur dilnim të dy buzë detit, Amar ishte në bark dhe ai i thërriste emrin me të madhe sikur Amar ishte në fushë duke luajtur dhe shënonte gol. Ne do bëjmë gjithçka që ta realizojmë, sepse të dy duam që Amar të jetë futbollist. Për më tepër jemi në vendin e futbollit. Dhe me siguri do e ketë në gen, sepse i ngjan të atit. Me gocën pastaj do merem vetë (qesh).

Si janë gjyshërit përballë gjithë kësaj gjëje?
Gjyshërit janë shumë të lumtur, sidomos të babit, sepse është nipi i parë në shtëpi dhe po çmenden fare. Ndërsa nga të mitë është pak më qetë situata, se është nipi i tretë.
Mezi prita që Amar të takojë dy nipat e mi Glaukun dhe Gridin, që unë i dua jashtë mase shumë dhe jam shumë e lidhur me ta që prej ditës që kanë lindur. Ai takim më ka emocionuar shumë.

Çfarë raporti ke ti me vjehrrën dhe vjehrrin?
Kam një respekt të jashtëzakonshëm për vjehrrën time dhe kam marrëdhënie shumë të mirë me të. Ajo po më rrit djalin dhe unë nuk do e harroj kurrë çfarë ka bërë për mua kaq kohë. Sigurisht dhe me vjehrrin kam marrëdhënie të mirë.

Kalove ndonjë formë depresioni pas lindjes?
Jo, sepse pata ndihmë në shtëpi.

Në fund, si ishte për ty kjo eksperiencë e parë me Amar në një kopertinë?
Ky set dhe kjo intervistë janë një kujtim shumë i bukur për Amar dhe familjen tonë. Kjo është gjithçka që kam pasur në mendje kur e bëra këtë set dhe intervistë. Jam shumë e lumtur për këtë kujtim.

Intervista nga ‘Revista Who’


Shtuar 25.04.2021 18:29