Grimieri Olti Shulla ka ndarë detaje për punën e tij me këngëtarin e ndjerë grek, George Mazonakis.
Gjatë intervistës në emisionin “Breaking me Fiori Dardha”, Shulla u shpreh se artisti ishte disi tekanjoz, ndërsa i kushtonte rëndësi të veçantë paraqitjes dhe kujdesit për veten.
Të lidhura
None found
“Ai ishte një njeri që i kushtonte shumë rëndësi kujdesit ndaj vetes. Mirëmbahej dhe kurohej vazhdimisht. Dallohej si një prej artistëve më të mirë, ndërsa edhe në veshje ishte më elegant se të tjerët. Më telefonuan dhe më thanë se Mazonakis kishte ardhur në Shqipëri dhe se i kishin folur për mua. Ai kishte pranuar dhe kishte thënë: ‘Ma sillni Oltin’. Shkova dhe e rregullova, duke menduar se më pas do të largohesha. Por ai u tha organizatorëve se do të këndonte, do të kthehej dhe do të rregullohej sërish”, rrëfeu Shulla.
Sipas grimierit, sjellja e këngëtarit tregonte se ai ishte një artist me kërkesa të veçanta, diçka që, siç tha Shulla, është e zakonshme te emrat e mëdhenj.
“Nga mënyra si e përjetova, kuptova se ishte tekanjoz. Artistët e kanë këtë karakteristikë dhe është normale që të kërkojnë më shumë. Ai i tha motrës ose mbesës së tij se i kishin pëlqyer energjia dhe grimi im. Biseduam pak dhe vendosëm se çfarë mund të realizonim. Madje më ftoi edhe në Greqi për bashkëpunime të tjera”, tha ai.
Olti Shulla, i cili ishte ndër grimierët e fundit që punuan me Mazonakis para se këngëtari të ndërronte jetë, zbuloi gjithashtu se ai ishte shumë i lidhur me besimin fetar.
Sipas tij, këngëtari lutej përpara se të dilte në skenë për të performuar.
“Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte besimi i tij i madh. Në një moment na kërkoi të gjithëve të dilnim nga dhoma dhe na tha se kishte pesë minuta punë. Në tavolinë kishte një kryq dhe ai do të lutej para se të niste koncertin”, përfundoi Shulla.
