I ftuar në emisionin “S’e Luan Topi” në Top Channel, Pastor Paulin Vilajeti ndau me publikun momente të vështira, por edhe histori të veçanta nga jeta e tij.
Gjatë bisedës me Erjona Rusin, ai tregoi dy raste të jashtëzakonshme që lidhen me shtëpinë e fëmijës që ka themeluar, duke prekur emocionalisht studion dhe shikuesit.
Të lidhura
None found
Pastori rrëfeu se fëmija i parë që kishte marrë në kujdes ishte një djalë, të cilin nëna e kishte çuar në breg të lumit në Berat dhe e kishte goditur me gurë me qëllim që ta vriste. Ajo mendonte se fëmija kishte vdekur.
“Policia e dëgjoi duke qarë dhe kështu arritëm ta shpëtonim. Ne e strehuam dhe sot ai është i martuar. Është një ndër njerëzit më të njohur në Tiranë”, tregoi Pastor Vilajeti.
Historia e dytë kishte të bënte me një foshnjë që ndodhej në maternitetin e Beratit. Shtëpia e fëmijës e mori në kujdes dhe, kur vajza mbushi 17 vjeç, pastori e pyeti nëse dëshironte të takonte mamanë e saj.
Ai u interesua për të gjetur nënën dhe, pasi arriti ta kontaktonte, mori prej saj përgjigjen se nuk kishte vajzë. “I thashë që kishte, por ajo më tha se kishte vdekur gjatë lindjes. Halla e saj i kishte treguar në atë kohë se fëmija kishte vdekur”, rrëfeu ai.
Rrëfimet e Pastor Paulin Vilajetit përcollën emocione të forta në studio, ndërsa nxorën në pah edhe përkushtimin e tij human ndaj fëmijëve në nevojë.
