Hollywood-i është përfshirë nga shqetësimi pas pretendimeve të ekspertit të sigurisë kibernetike Jeremiah Fowler se të dhënat personale të disa prej figurave më të njohura të kinematografisë mund të jenë publikuar pa kufizime në internet.
Të lidhura
None found
Fowler bëri të ditur se kishte identifikuar 666.369 regjistrime të lidhura me Festivalin e Filmit Tribeca në Nju Jork, i cili u themelua në vitin 2002 nga aktori legjendar Robert De Niro.
Sipas tij, informacionet e ekspozuara përfshinin numra telefoni, adresa private të postës elektronike dhe të dhëna të tjera kontakti të personazheve të famshëm. Një ekspozim i tillë mund t’i vendoste ata përballë mashtrimeve kibernetike ose sulmeve përmes programeve keqdashëse.
Angelina Jolie dhe Robert De Niro janë mes personave, të dhënat e të cilëve Fowler pretendon se i ka parë. Në listë figuronin gjithashtu regjisori britanik Danny Boyle, aktorët Neil Patrick Harris, Michael Douglas, Rami Malek dhe Sharon Stone, si dhe regjisorët George Lucas e Martin Scorsese.
Studiuesi i kompanisë amerikane të sigurisë kibernetike Black Hills Information Security e përshkroi zbulimin si rastin më të madh me të cilin është përballur gjatë gjithë karrierës së tij.
“Është, pa diskutim, koleksioni më i madh i të dhënave të personazheve të famshëm që kam parë ndonjëherë. Në regjistrime kishte shumë emra të njohur, numra telefoni dhe adresa emaili që mund të përdoreshin për sulme me programe keqdashëse”, deklaroi ai për The Sun on Sunday.
Në lidhje me mënyrën se si mund të ketë ndodhur rrjedhja, eksperti vlerësoi se shkaku duket se ka qenë një gabim njerëzor.
Ai shpjegoi se gjeti tre databaza të lidhura me Festivalin Tribeca. Pjesa më e madhe e materialeve përbëhej nga njoftime për media dhe përmbajtje marketingu, të ruajtura në një platformë cloud për periudhën 2019–2026.
Në njërën prej databazave, megjithatë, ndodhej një kopje rezervë (backup) që përfshinte një dosje me emrin “contacts”, brenda së cilës ishin ruajtur të dhëna personale të individëve.
Fowler tha se i njoftoi organizatorët e festivalit disa ditë përpara fillimit të edicionit të këtij viti. Pas kontaktimit të tyre, databaza nuk ishte më e aksesueshme publikisht.
Eksperti solli në vëmendje edhe një ekspozim tjetër të dhënash që kishte zbuluar më herët gjatë këtij viti. Sipas tij, ai rast lidhej me përdorimin e një programi përgjues (stalkerware) ndaj një personazhi të njohur.
Databaza e përfshirë në atë rast përmbante 86.859 imazhe, të cilat ngjanin me pamje ekrani të marra nga pajisja e viktimës.
Fowler deklaroi se mes materialeve gjendeshin komunikime me partnerë biznesi, modele, influencerë dhe figura publike, krahas bisedave dhe fotografive private që nuk ishin parashikuar asnjëherë për publikim.
Festivali i Filmit Tribeca nuk ka reaguar zyrtarisht deri tani ndaj pretendimeve për rrjedhjen e të dhënave./TAR
