Hetimi për kontrabandimin e marihuanës nga Maqedonia e Veriut në Serbi është zgjeruar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke përfshirë shtatë të dyshuar të rinj.
Të lidhura
None found
Prokuroria bën të ditur se procedura hetimore, e nisur në shkurt të këtij viti, ka nxjerrë në pah një rrjet më të gjerë të lidhur me veprimtarinë kriminale. Provat janë mbledhur përmes veprimeve hetimore dhe bashkëpunimit me autoritetet e Serbisë.
Shtatë personat dyshohen për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2025-2026 ata kanë vepruar në kuadër të një grupi të organizuar kriminal.
Për të fshehur aktivitetin e kundërligjshëm, grupi dyshohet se ka shfrytëzuar një kompani me seli në Shkup, e cila dispononte licencë për kultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor.
Sipas Prokurorisë, pronarët e kësaj kompanie organizonin dërgesat e marihuanës nga Maqedonia e Veriut drejt Serbisë. Për transport përdoreshin automjete mallrash dhe dokumente doganore, në të cilat ngarkesat paraqiteshin si mallra të zakonshme.
Lënda narkotike kamuflohej mes produkteve ushqimore, tekstileve, jastëkëve dhe jorganëve, ndërsa mjetet e transportit drejtoheshin për në pikën kufitare të Tabanocit.
Pasi kalonte në territorin serb, marihuana dërgohej në një depo në zonën e Konjuhut, pranë Krushevcit. Atje ajo ripaketohej dhe bëhej gati për t’u shitur më tej.
Provat e mbledhura deri tani tregojnë se kjo mënyrë veprimi është ndjekur në të paktën pesë raste të veçanta të transportimit të drogës.
Më 21 korrik 2026, Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi paraqiti aktakuzë ndaj gjashtë pjesëtarëve të grupit. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, dy nga të dyshuarit e kanë pranuar fajësinë.
Gjykata Themelore Penale në Shkup i dënoi dy të pandehurit, njërin me tre vjet e gjashtë muaj burg dhe tjetrin me tre vjet e tetë muaj burg.
